Për afro 90 minuta Presidenti Ilir Meta priti në zyrën e tij deputetët e Komisionit të Jashtëm Parlamentar për t’i informuar në lidhje me çështjen e negociatave për kufirin detar me Greqinë, rolin dhe dijeninë që kreu i shtetit ka për procesin e bisedimeve të zhvilluara deri më tani mes Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe atij grek Nikos Kociaz.

Presidenti Meta përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve dhe të fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe informoi deputetët se për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë dhe të qëndrueshme kërkohet bashkëpunim dhe seriozitet nga të gjitha institucionet.

Në dalje të takimit përfaqësuesit e opozitës të cilët kishin kërkuar edhe këtë takim me kreun e shtetit e cilësuan të drejtë qëndrimin e Presidentit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe thanë se për të shuar çdo dyshim lidhur me mungesën e transparencës në këtë process, arbitrazhi mund të shihet si një opsion.

Edi Paloka, Nënkryetar i PD-së

“Ramë dakord që qëndrimi i presidentit është korrekt dhe i përgjigjet përgjegjësisë dhe detyrimit që ai ka për të qëndruar fort në vendimin e Gjykatës Kushtetutës. Mosdakordësia mes palëve ishte tek transparenca.”

Tritan Shehu

“Unë shpreha qëndrimin tonë që arritja e një marrëveshje të drejtë për të gjitha palët, evitimi i mungesës së transparencë dhe sigurisë është çuarja e kësaj dosje në mirëkuptim me palën greke në Gjykatën Ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë.”

Sikundër Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati edhe kryetarja e komisionit tw jashtëm, Mimi Kodheli sqaroi se për sa kohë palët janë në proces negociatash, kjo çështje nuk mund të përfundojë në Gjykatën Ndërkombëtare.

Mimi Kodheli

“Shkohet në Hagë nëse vendet respektive nuk bien dakord të hyjnë në marrëveshje. Për aq kohë sa ne kemi rënë dakord që do të hyjmë në marrëveshje me qeverinë greke nuk shikoj asnjë arsye pse çështja duhet të shkojë në Hagë’.

A do tw ndikojw dështimi i kësaj marrëveshje në rrugën europiane të Shqipërisë. Për mazhorancën finalizimi i saj shihet si një nevojë absolute.

Mimi Kodheli

“Ramë dakord dhe ndamë të njëjtin mendim me Presidentin lidhur me nevojën që kjo marrëveshje të mos dështojë, me nevojën dhe meritën që ka vendi ynë për të hapur negociatat me BE . Vetëm kështu mund të jemi më të sigurt në rrugën tonë drejt BE.”

Ndonëse në takimin e zhvilluar me kreun e shtetit nuk eshte diskutuar për emrat e negociatorëvet, eshte lene e hapur mundësia që në grupin aktual të përfshihen edhe profesorë të së drejtës ndërkombëtare, apo dhe ekspertë e këshilltarë.

 Tv Klan