“Zgjerimi i ujërave territoriale, e drejtë e Greqisë”

Kryeministri Edi Rama e konsideron të drejtë legjitime të Greqisë zgjerimin e saj në ujërat territorial nga 6 në 12 milje dhe që buron nga konventa ndërkombëtare e detit. Duke folur nga Vjena gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kreu i qeverisë shqiptare sqaroi edhe një herë se deklarata e kryeministrit grek për zgjerimin e ujërave territoriale është korrekte dhe se ajo nuk ka të bëjë me marrëveshjen e detit që Shqipëria dhe Greqia po negociojnë prej disa vitesh.

“Deklaratat e kryeministrit grek për zgjerimin e ujërave të Greqisë nuk ka lidhje me ujërat tanë dhe me marrëveshjen që po punojmë dhe nuk e kemi arritur akoma me palën greke, nuk ka lidhje me asgjë me ato që janë thënë në mënyrë të qëllimshme. Shtrirja në 6 milje është një e drejtë e çdo vendi”, tha Ram.

Sipas tij këtë të drejtë e ka ushtruar edhe Shqipëria që nga viti 1990.

“Ne jemi shtrirë në ujërat tanë me 6 miljet që në vitin 1990”, tha Rama.

Në këtë aspekt, kryeministri Rama i quajti spekulime hartat e ndarjes së ujërave detare mes dy vendeve të publikuara nga mediat, ndërsa siguroi se marrëveshja që do të arrihet me Greqinë do të kalojë në të gjitha hallkat shtetërore. Një mesazh, kryeministri Rama e pati edhe për shqetësimin e ngritur më parë nga Presidenti Meta.

“Presidenti duhet të informohet mirë dhe në vend të thotë se për çfarë është aty, të bëjë atë që duhet bëjë dhe të mos ngatërrojë kushtetutën e Shqipërisë me të drejtën e detit të Greqisë dhe që nuk ka lidhje me Shqipërinë. Mos e ngatërrojë dhe hedhë fjalën sikur ‘kapeni ju tani dhe hajdeni mbroni Kushtetutën me mua”, tha Rama.

Dhe për ta bërë debatin sa më të thjeshtë, kreu i qeverisë bëri një krahasim me kanionet e Skraparit, vendlindjen e Presidentit.

“Është si puna e kanioneve të Skraparit, ka shkëmbinj nga njëra anë dhe shkëmbinj nga ana tjetër dhe në mes rrjedha ujore. Konventa u ka dhënë të drejtën të dy shkëmbinjve mundësinë që të marrin nga ajo rrjedhë ujore brenda anës së tyre dhe jo të kapërcejnë lumin dhe të kapin shkëmbin tjetër, të marrin milje në mënyrë të barabartë. Shqipëria i ka marrë, Greqia do i marrë. Presidenti të jetë shumë i qetë, se nuk është rasti për të bërë rafting me Kushtetutën, me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe fqinjësinë e mirë“, tha Rama.

Tv Klan