Detoksi është “popstari” që vitet e fundit ka thyer rekorde në shitje. Vitin e kaluar nga produktet e detoksit industria ushqimore ka grumbulluar 101.5 milionë dollarë vetëm në SHBA. Po flasim për dietat që premtojnë të pastrojnë trupin nga toksinat ose thënë në shqip, nga helmet. Fjala nuk është vetëm për alkoolin, por për të gjitha mbetjet e dëmshme që lënë në trupin tonë ushqimet aq të pëlqyera të fast food-eve, të konservuarat dhe çdo kimikat tjetër që mund të hyjë në organizmin tonë qoftë edhe nga frymëmarrja.

Zgjedhja mrekullibërëse që na servirin artikujt mediatikë apo të famshmit e rrjeteve sociale duket shumë e thjeshtë. Pas ditëve me ushqime të yndyrshme, ëmbëlsia e alkool, shpëtimi gjendet tek një gotë lëngjesh të shtrydhura frutash apo perimesh.

Spikeri dhe volejbollisti Erjon Zeqiraj përveç stërvitjeve në fushë është i kujdesshëm edhe me regjimin ushqimor. Në një intervistë të shkurtër për “Jo vetëm Modë” ai tregon se ushqimet detoks nisi t’i konsumojë kur vendosi të ndryshojë peshën e tij.

“Ushqimet detoks i kam patur pjesë të dietës time që në momentin që fillova të programoja ndryshimin tim në peshë për të ardhur në peshën që unë doja. Unë kam gjetur një lloj balance me një pije që e përgatis vetë në shtëpi duke marrë kastravecin, të cilin e qëroj dhe e hedh në dy litra ujë, shtoj xhinxher, gjethe menteje, ca kokrra shegë dhe pak aloe vera. I lë të bashkëveprojnë për rreth 12 orë dhe më pas i konsumoj”,

tha Zeqiraj.

Ushqimet dhe produktet e detoksit thuhet se kanë një sërë përfitimesh për organizmin, por a bën vërtetë “mrekulli” detoksi?

Nutricionistja Enkeleda Ferollari tha për “Jo vetëm Modë” se detoksi ndeshet vetëm nëpër revista mode e portale, por në artikuj shkencorë gjendet pak ose aspak. Sipas saj organizmi është sistem i përsosur që asimilon vetë ngarkesat ushqimore, por problemi është tek përditshmëria. Ajo rekomandon regjim të rregullt ushqimor, me porcione të vogla dhe me të gjitha vlerat ushqimore.

/tvklan.al