Pavarësisht vlerësimit për përmbushjen e kritereve që e përcaktojnë Shqipërinë si vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, progres-raporti i Komisionit Europian përcakton disa fusha, ku nevojitet thellim i reformave. Theksi vihet tek lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, sistemi i drejtësisë dhe administrata publike.

Raporti konstaton se pavarësisht shtimit të numrit të të arrestuarve për korrupsion nga radhët e zyrtarëve të rangjeve të ulëta dhe të mesme, numri i arrestimeve mbetet shumë i ulët për zyrtarët e lartë të akuzuar për korrupsion. Fenomeni mbizotëron dhe mbetet problem serioz në shumë sfera.

Në luftën kundër krimit të organizuar kërkohet shtimi i konfiskimeve të pasurive që u përkasin pjesëtarëve të grupeve kriminale. Raporti bën thirrje për amendime në ligjin antimafia dhe kodit të procedurës penale për të shtuar efikasitetin e hetimeve kundër krimit. Për shkak të bashkëpunimit jo të mirë mes policisë dhe prokurorisë, progresi në luftën për shkatërrimin e bandave kriminale mbetet i ulët, sikurse edhe kapja dhe dënimi i pjesëtarëve të tyre. Raporti kërkon më tepër përpjekje në luftën kundër pastrimit të parave, aseteve të krimit dhe pasurive të pajustifikuara.

Vlerësohen përpjekjet për reformimin e administratës publike, por kërkohet që ajo të jetë më tepër efektive, profesionale dhe e depolitizuar. Ndërsa për procesin e vettingut thuhet se rivlerësimi i figurave të gjykatësve dhe prokurorëve ka nisur të japë rezultatet e para pozitive.

Tv Klan