Erion Veliaj i ftuar në “E Diela Shqiptare”

Është e diela e mirënjohjes dhe i ftuar në “E Diela Shqiptare” është Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Tërmeti i 26 Nëntorit shkaktoi një tragjedi në vendin tonë dhe vetë Veliaj shprehet se në atë agim të orës 4 pa 5 të mëngjesit, të gjithë ishin të traumatizuar. Kryebashkiaku foli për organizimin e punës pas tërmetit nga ana e Bashkisë, por jo vetëm.

I pyetur nga drejtuesi i emisionit, Ardit Gjebrea, se cilat janë detyrat e kryetarit të Bashkisë në një situatë të tillë Veliaj u shpreh: “Unë besoj se një pjesë e madhe e detyrave nuk janë të shkruara. Detyrat e shkruara janë të thjeshta, siç është evakuimi, shpëtimi, por një pjesë janë të pashkruara. Disa nga detyrat vijnë edhe prej kontekstit kulturor. Nuk ka rëndësi çfarë ka ndodhur, unë besoj se detyra e kryeministrit, e çdo deputeti e çdo kryetari bashkie, njësie administrative është të përgjigjet për nevojën pavarësisht se ligji i sigurimeve apo menaxhimit thotë gjëra të tjera. Unë mendoj se mund të mbjellim sot një farë solidariteti që do jetë investimi më i mirë për të ardhmen”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës gjithashtu tregoi edhe për një operacionin “Kutia” të nisur nga fëmijët në kopshte dhe shkolla.

Kemi filluar një iniciativë shumë të lezetshme me të gjithë fëmijët nëpër kopshte dhe shkolla. Secili merr një kuti bosh këpucësh. E kemi quajtur operacioni “Kutia” dhe e mbush atë me gjëra të nevojshme ose dhurata për një shokun ose shoqen e vet, pra një bashkëmoshatar në zonat e prekura. Kam parë sesi fëmijët e vegjël mësojnë që në këtë fazë, që të mos jenë cinikë, të mos dyshyes, skeptikë. Kur një fëmijë e fillon me një kuti këpucësh t’ia çojë një bashkëmoshatari të vet, them se lidhim fijet mes shqiptarëve, që do na duhen këto fije të forta për shumë sfida në të ardhmen”./tvklan.al