Stoku i tyre bie me 25% që prej nisjes së pandemisë së Covid-19

Qeveria qendrore dhe bashkitë kanë arritur të ulin në fund të muajit Shtator stokun e detyrimeve të prapambetura ndaj palëve të treta, pas vështirësive në likuiditet që solli në nisje të saj pandemia e Covid-19.

Sipas raportit të monitorimit të borxheve shtetërore nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, sërish niveli i pagesave të prapambetura është i lartë, 224 milionë dollarë në total, por gjysma e tyre, 113 milionë, janë pagesa për rimbursimin e TVSH-së që Tatimet duhet t’i bëjnë 3 kompanive të mëdha, ndërsa kanë hyrë në marrëveshje për t’i derdhur me këste.

Detyrimet e aparateve të ministrive arrijnë në 48 milionë dollarë, duke pësuar një rënie me 25% me fundin e Marsit, ndërsa borxhet që ka pushteti vendor arrijnë në 63 milionë dollarë.

Edhe detyrimet e bashkive u tkurrën me 25 milionë dollarë nëse krahasohen me fundin e Qershorit, ku kishin arritur në nivelin e 87 milion dollarëve.

Peshën më të madhe të detyrimeve të prapambetura, 36.4 milionë dollarë janë pagesa të paderdhura për investime publike, 35 milionë dollarë, e zënë faturat për pagesat e vendimeve gjyqësore, shumica prej të cilave për punonjës të shkarkuar padrejtësisht dhe 12.6 milionë janë borxhe për kontrata shërbimesh.

Tv Klan