Ministrat e Jashtëm të BE pritet të nxjerrin vetëm një deklaratë për rëndësinë strategjike të Ballkanit për Evropën e nuk do të japin një datë përfundimtare për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Në mbledhjen e sotme (18.06) të ministrave të vendeve anëtare të BE-së nuk duket se do të merret ndonjë vendim përfundimtar për çeljen e negociatave me Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut, por do të lëshohet një deklaratë apo vendim paraprak që do të tregojë rëndësinë strategjike të Ballkanit për Evropën.

Gjermania e merr vendimin në Shtator apo Tetor

Ministri gjerman i shtetit për Evropën Michael Roth, para takimit tha: “Para një viti u kemi dhënë detyrat e shtëpisë dy vendeve dhe ata i kanë përmbushur. Veç kësaj Maqedonia e Veriut ka arritur të zgjidhë një konflikt 30 vjeçar me Marrëveshjen e Prespës”. “Dhe kjo është e pashembullt dhe duhet shpërblyer”, ka shtuar ai. Roth shtoi se për arsye kohe Gjermania do ta marrë vendimin në Shtator ose Tetor.

Luxemburg Treffen der Europaminister | Michael Roth, Staatsminister Auswärtiges Amt (picture-alliance/Zuma Press/W. Dabkowski)

Michael Roth

Ndërsa ministri austriak për Evropën, Alexander Schalenberg tha, se “do të ishte një sinjal shumë i keq, nëse do t’u kthenim shpinën këtyre dy vendeve. Nuk ka rëndësi data e çeljes së negociatave, rëndësi ka që të ndodhë sa më shpejt dhe sot të arrijmë një vendim paraprak”.

Komentet e ministrit austriak i ka mbështetur edhe deklarata e ministrit të Jashtëm të Italisë, Enzo Moavera, i cili tha se do të merret një vendim paraprak mbi bazën e asaj që është arritur deri tani dhe do të pritet vendimi i Buddestagut pas përfundimit të verës.

George Ciamba, ministri rumun për Evropën, të cilët janë edhe organizatorë të takimit pasi Rumania mban presidencën e radhës në BE sqaroi, se deklarata rreth raporteve të progresit do të jetë: “E angazhuar, konstruktive dhe do të përmbajë balancën dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për Evropën”./DW