Paraditen e sotme, kryeministri Edi Rama zhvilloi takim me pensionistët në Gjirokastër. E nisi me një krahasim të politikave që janë ndjekur para se PS-ja të vinte në pushtet me ato të 12 viteve të fundit.
“Përpara reformës ndodhen dy gjëra të rënda, ju e dini shumë mirë kur u shkatërrua gjithë baza prodhuese e vendit, u nxorrën të tërë në rrugë edhe 40 vjeç u quajtën pensionistë dhe u caktua një tavan 240 mijë lekë të vjetra që ti të hidheshe përpjetë nuk e kaloje dot tavanin pavarësisht se sa sigurime shoqërore kishe. Pra, faktikisht pensioni u kthye në asistencë. Si dikush që s’kishte kontribute, tavani ishte aq. Sot, me indeksimet e bëra vit pas viti, zysha ka një pension 350 euro. Sepse ne e hoqëm tavanin dhe në themel vendosëm bazën kontributive. Ti merr një pension në raport me kontributet e tua në sigurimet shoqërore. Prandaj zysha tjetër e ka 380 euro”, shpjegoi kreu i qeverisë.
Veçoi dy problematika që lidhen me këtë kategori. Atë për pensionistët shqiptarë që kthehen nga Greqia dhe për pensionet e fshatit.
“Duke qenë në Greqi nuk ka kontribuar dot për pensionin e tij. Ka shumë njerëz që pasi kthehen nga Greqia thonë ç’a bëhet kështu, por në fakt s’kanë këtu kontributet. Një histori më e rëndë akoma janë pensionet e fshatit. Së pari, ne kemi bërë një hap përtej indeksimeve që janë ligjore, detyruese e nuk diskutohen e bëhen në mënyrë të vazhdueshme. Madje ne i kemi bërë 2 herë në vit, në 2 raste.”
Rama deklaroi se shteti shqiptar ka dhënë 165 milion euro për pensionistët me bonuset në fundvit e pranverë.
“Nuk janë pak për shtetin shqiptar! Dhe do vazhdojmë ta bëjmë, gjithmonë bazuar në rritjen ekonomike.”
Së fundmi, vuri theksin te 2 objektiva kryesorë.
“Kemi shtuar 300 mijë kontributorë të tjerë, sot nuk luhet me sigurimet shoqërore. Të arrijmë pension minimal 200 euro dhe të arrijmë që për të siguruarit të kemi një pension mesatar 400 euro”, përfundoi kryesocialisti.
/tvklan.al