Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e kësaj të diele në Vlorë. Babë e bir mbetën të plagosur me thikë, dyshohet nga dhëndri 27-vjeçar i familjes. Burime zyrtare të policisë thonë se të plagosurit, të moshës 60 dhe 30 vjeç u dërguan në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

“Rreth orës 21:30, në lagjen “1 Maji”, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi R. K., ka plagosur me mjet prerës thikë, vjehrrin dhe kunatin e tij, shtetasit Xh. B., rreth 60 vjeç dhe A. B., rreth 30 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha policia e Vlorës në një njoftim paraprak për mediat.

Sa i përket autorit të ngjarjes, ai u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar pak orë më pas nga policia. Në një njoftim të dytë për mediat, autoritetet thanë se shkak për plagosjen e dyfishtë është bërë një konflikt i çastit, për motive të dobëta.

“Si rezultat i reagimit në kohë dhe i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale të kryera në vendngjarje është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar. Shërbimet e Policisë pas afro një orë kërkimesh kanë lokalizuar, kapur dhe prangosur, në lagjen “8 Nëntori”, autorin e dyshuar shtetasin R. K., 27 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas pas një konflikti të çasit për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), vjehrrin dhe kunatin e tij, shtetasit Xh. B., 61 vjeç dhe A. B., 30 vjeç, të cilët ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje në cilësinë e provës materiale, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 mjete prerëse, thika. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje”./tvklan.al