Ky që shihni në foto është 40-vjeçari Dan Hutra, autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë në Paskuqan dhe plagosjes së dy shtetaseve të tjera të të njëjtës familje.

Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 12:30, ku Hutra, një person me precedentë penalë, ka shkuar në banesën e familjes Hysa në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë dhe ka qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Ai la të vdekur motrën e ish-bashkëjetueses dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasune Dafku, si dhe plagosi ish-bashkëjetuesen e tij Elena Hysa dhe nënën e saj Kujtime Hysa.

Pas ngjarjes së rëndë, e cila dyshohet të jetë pasojë e shkëputjes së marrëdhënies dhe konflikteve të vazhdueshme, Dan Hutra u largua me një makinë, duke marrë me vete edhe armën e krimit.

“Është person i rrezikshëm, i kërkojmë qytetarëve të ndihmojnë, Policia e Tiranës është në kërkim“, tha Genti Mullaj për mediat, zëdhënës i Policisë së Shtetit.

Familjarët u shprehën të tronditur për mediat dhe thanë se ai kishte qenë edhe më herët i dhunshëm.

Dan Hutra ishte liruar nga burgu 1 javë më parë pasi ishte vënë në pranga në 16 Qershor të 2022 për dhunë në familje. Ndërkohë burime të Tv Klan thanë se ish-bashkëjetuesja e tij, Elena Hysa kishte edhe urdhër mbrojte.

40-vjeçari gjithashtu ka qenë i dënuar më parë për vrasje në familje dhe kishte shlyer një dënim për vrasjen e gruas së tij në vitin 2007.

Banesa ku ndodhi krimi

Kush janë viktimat

Mevlute Hysa 30 vjeçe (motra e ish-bashkëjetueses së tij)

Hasime Dafku 30 vjeçe (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses)

Të plagosura

Elena Hysa, 35 vjeçe (ish bashkëjetuesja)

Kujtime Hysa, 60 vjeçe (nëna e saj)

Kush është autori i ngjarjes dhe e shkuara e tij

Ky është Dan Hutra, autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes po të dyfishtë në Paskuqan. Ai qëlloi me breshëri familjarët e ish-gruas së tij.

Policia është vënë në ndjekje të autorit, i cili është arratisur me një makinë tip “C Class” ngjyrë të zezë.

Gazetarja Glidona Daci raportoi nga vendi i ngjarjes se janë disa automjete policie që kanë shkuar aty pasi ka ndodhur krimi.

Efektivët kanë ngritur disa postblloqe për të bërë të mundur kapjen e autorit.

“Hajde merreni! E keni të vrarë tek shtëpia…” Kush ishte Dan Hutra, autori i masakrës së Paskuqanit: Pasi ekzekutoi gruan mori në telefon prindërit e saj

Dan Hutra është autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë në Paskuqan që ndodhi këtë të mërkurë (1 Mars 2023). Ai qëlloi për vdekje motrën dhe kunatën e ish-bashkëjetueses, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku.

Ish-bashkëjetuesja Elena Hysa dhe ish-vjehrra Kujtime Hysa mbetën të plagosura.

Hutra, rreth 40 vjeç, është emër i njohur për policinë dhe drejtësinë. Historia e tij e përballjeve me ligjin fillon që në vitin 2003. Asokohe ai ka qenë i dënuar për heqje të lirisë së nënës së kunatës së tij dhe përdhunimin e kunatës tjetër. Për këtë krim ai ka vuajtur vetëm 3 vite burg.

Pasi ka dalë nga burgu, Hutra u fejua me Dafina Havaljan, e cila do të përfundonte në tragjedi. Më 11 Dhjetor 2007, Hutra vret ish-të fejuarën. Sipas hetimeve asokohe, Hutra dyshonte për një tradhti.

Në Mars të vitit 2009, Hutra do të dënohej me 24 vjet burg për vrasje me paramendim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar atij i mbetën për të vuajtur vetëm 16 vjet burg. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Hutra dhe Havalja jetonin në një banesë me qira tek Fusha e Aviacionit.

Hutra, i sapo ardhur nga emigrimi, dyshonte se e fejuara e tradhtonte. Pas 8 muajsh fejesë ai ka marrë thikën dhe e goditi disa herë në zemër, goditje këto që i sollën vdekjen e menjëhershme 22-vjeçares nga Klosi i Dibrës.

Akuza argumentoi asokohe se fejesa e tyre ka qenë e mbushur me debate dhe tensione. Por një mëngjes Dhjetori në vitin 2007 pas zënkave, Hutra u largua nga shtëpia. Vajza telefonoi prindërit që të shkonin ta merrnin pasi nuk donte të jetonte më me të. Pasi u kthye sërish në banesë, Hutra është vënë në dijeni të telefonatës dhe kërkesës së saj për t’i dhënë fund lidhjes.

Në këtë moment ai ka marrë thikën dhe e ka goditur në zemër. Pas krimit, Hutra mblodhi rrobat e veta, u largua nga banesa dhe lajmëroi familjarët e vajzës.

“Hajde merreni! E keni të vrarë tek shtëpia”, ka qenë telefonata që ai i ka bërë prindërve të saj. Hutra u kap pas te ditësh arratisje në afërsi të Kukësit. Gjatë kohës që ka qenë i paraburgosur, Hutra ka tentuar që të vrasë veten në qeli.

Ky është profili i Hutrës i cili shkaktoi masakrën në Paskuqan. Por si të mos mjaftonte kjo listë e gjatë e dënimeve të tij, Hutra nuk i kishte mbushur dy javë që ishte liruar sërish në burgu. Kësaj radhe për dhunë. Më 16 Qershor të vitit të kaluar ai ishte vënë në pranga, por u lirua më 16 Shkurt të 2023-shit për dhunë në familje.

Krimi në familje në Paskuqan, familjarët: Ish-dhëndri ishte i dhunshëm, kanë një vajzë 4-muajshe

Në vendin e ngjarjes, një e afërme e familjes së sulmuar nga ish-dhëndri i tyre është shprehur se ish-çifti kishin rreth 7 muaj të divorcuar. Po ashtu, ajo ka thënë se ata kanë një vajzë 4-muajshe.

Familjarja: Kanë 7 ose 8 muaj të divorcuar. Kanë një gocë 4-muajshe. Ai ishte… Në burg nuk e di a kishte qenë…

Ndërkohë, një e afërme tjetër e familjes ka deklaruar se autori i dyshuar ishte i dhunshëm e madje ka thënë se kishte probleme me shëndetin mendor.

Pyetje: A kanë pasur konflikte?

E afërmja: Kush çift? Ajo për atë konflikt erdhi te baba. Ishte i dhunshëm, ishte me të meta mendore.  Goca ka qenë shumë e urtë, është gjynah me i rënë në qafë.

Informacioni paraprak i policisë

Më datë 01.03.2023, rreth orës 12:30, në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, shtetasi Dan Hutra, rreth 40 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset, Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Autori i dyshuar është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij. Do të ndajmë me publikun foton e autorit të dyshuar dhe mirëpresim çdo informacion për vendndodhjen e tij.

Autori i dyshuar është arrestuar për dhunë në familje në datën 16.06.2022, dhe është liruar me datë 16.02.2023.

Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës.

13:19 – Ish-dhëndri qëllon me armë familjen e ish-bashkëjetueses në Paskuqan, 2 viktima

Një krim i rëndë në familje ka ndodhur ditën e sotme në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë.

Dan Hutra rreth 40 vjeç ka hyrë në banesën e familjes së ish-bashkëshortes dhe ka qëlluar me breshëri, ndaj të gjithë personave që kanë qenë të pranishëm.

Policia njofton se Dan Hutra ka plagosur me armë zjarri Elena Hysajn, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysajn, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri Mevlute Hysajn 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Autori i dyshuar është arrestuar për dhunë në familje në datën 16 Qershor 2022, dhe është liruar me datë 16 Shkurt 2023.

Më parë, ai ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës./tvklan.al