“Dhëndurë në tentativë”, Rama: Të mos e humbim fokusin për integrimin, është rruga jonë



“Dhëndurë në tentativë”, Rama: Të mos e humbim fokusin për integrimin, është rruga jonë

19:30 21/10/2021

Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë një ceremonie të organizuar për 30-vjetorin e prezencës së Fondacionit Gjerman “Friedrich Ebert” në Shqipëri se vendi nuk duhet ta humbasë fokusin për integrimin europian pavarësisht se çfarë vendimi merr familja europiane. Rama tha se Shqipëria duhet të bëjë më shumë jo sepse ia kanë imponuar të tjerët, por sepse është zgjedhja, rruga dhe qëllimi i vendit integrimi.

“Që për ne kjo ka qenë një periudhë në një farë mënyre maturimi dhe kuptimi më i drejtë dhe më i plotë i këtij procesi dhe i vetë natyrës kontradiktore dhe nganjëherë dhe gjithmonë e më shpesh të paparashikueshme të procesit. Është fare e qartë sidomos me këtë shpërthimin të papritur së fundmi të problemit të Bullgarisë që ky është një proces ku ne duhet të mos e humbin fokusin nga fakti themelor se jemi në këtë proces jo sepse na e kanë imponuar të tjerët. Jemi për herë të parë si komb, si popull si shtet, në një proces që e ka zgjedhur populli vetë dhe e ka zgjedhur 30 vjet më parë për t’u bërë pjesë me të drejta të plota e familjes së përbashkët europiane. Na duhet të bëjmë çdo ditë më shumë se ç’bëmë dje pavarësisht se çfarë vendimesh merren në Bruksel, pavarësisht se çfarë kushtesh shtohen në Bundestag apo kudoqoftë tjetër apo kushedi se çfarë kushtesh dalin në Bullgari. Këto janë të ndara nga njëra-tjetra. Kjo është zgjedhja jonë, kjo është rruga jonë, ky është qëllimi ynë dhe detyrimi ynë. Më saktë borxhi ynë ndaj gjeneratave të tjera”, tha Rama.

Rama tha se asnjëherë nuk dihet se çfarë vendimmarrje do të marrë BE sa i përket  integrimit.

“Pavarësisht nëse quhemi kandidatë, nëse quhemi, nuk e di si quhemi tani se u bëmë ca vite që u bëmë kandidatë po le të themi dhëndurë në tentativë të familjes europianë. Pavarësisht se quhemi vend që jemi në negociata e kështu me radhë. Këto momente nuk varen nga ne, por se çfarë vendoset nga familja e bashkuar europiane mes 27 vendeve. E keni parë që është një vendimmarrje që nuk parashikohet deri në fund. Kujt i shkonte në mendje që do dilte Bullgaria. Ne e kishim fokusin si do shkonin zgjedhjet në Holandë dhe kishim bindjen që kur Holanda të çlirohej nga barra e zgjedhjeve shkon del Bullgaria nga ana tjetër. Askush nuk mund ta parashikojë 100% që nuk do dalë një tjetër. Bullgaria, mos harroni që para 2 vjetësh, ishte dakord, nuk ishte fare problemi. Ne na duhet të fokusohemi tek vetja, tek rruga jonë dhe puna jonë dhe të bëjmë maksimumin që të përfitojmë nga kjo dije”, tha Rama./tvklan.al








Të ngjashme