Me dhjetëra mijëra njerëz iu drejtuan rrugëve të Budapestit për të protestuar kundër qeverisë së Viktor Orban këtë të shtunë. Protestuesit marshuan drejt parlamentit e disa prej të cilëve thërrisnin: “Ne nuk kemi frikë” apo “Orban, dorëhiqu”.

Me flamujt hungarezë në duar, qytetarët u veshën edhe me të kuqe, të bardhë dhe jeshile, simbole që në fakt partia e Orban i ka përdorur gjatë dy dekadave të fundit.

“Këto janë ngjyrat kombëtare të Hungarisë, jo të qeverisë”, tha Lejla, 24 vjeçe, e cila kishte shkuar në Budapest nga Soproni, një qytet në kufirin perëndimor të vendit. Marshimi u drejtua nga Peter Magyar, 43 vjeç, i cili ka qenë i martuar me ish-ministren e Drejtësisë së qeverisë së Orbanit, Judit Varga. Ai planifikon të krijojë partinë e tij.

Disa protestues thanë për agjencinë e lajmeve Reuters se Magyar u bëri thirrje të dilnin në marshim pasi ka qenë pranë qeverisë së Orbanit dhe ka njohuri se si funksionon nga brenda.

“Ne e dinimin që ka pasur korrupsion, por ai e thotë si i brendshëm dhe na e konfirmon”, tha një infermiere.

Ajo tregoi se është e shqetësuar për sistemin shëndetësor, atë edukativ si dhe korrupsionin. “Besoj se do të ketë një ndryshim”, u shpreh ajo.

Magyar u njoh më së shumti në Shkurt kur bëri komente për punën e brendshme të qeverisë. Ai akuzoi Antal Rogan, ministrin që drejton zyrën e Orban, për drejtimin e një makinerie të centralizuar propagande. Ndër të tjera ka publikuar edhe një bisedë me ish-gruan e tij kur ajo shprehej se një ndihmës i lartë i shefit të kabinetit të Orban ndërhynte në një rast korrupsioni. Këto deklarata po hetohen nga prokuroria.

Ky hetim vjen në një moment të ndjeshëm politikisht për Orbanin. Ai ndodhet para zgjedhjeve europiane dhe pas një skandali abuzimi seksual që rrëzoi nga skena politike dy aleatet e tij kryesore politike, ish-Presidenten Katalin Novak dhe ministren Varga në Shkurt.

Sipas një sondazhi, 68% e votuesve hungarezë kanë dëgjuar për hyrjen e Magyar në fushën politike dhe 13% prej tyre janë shprehur se ka të ngjarë ta mbështesin partinë e tij./tvklan.al