Sergio Ramos rikthehet në infermieri, pëson tërheqje muskulare

Sergio Ramos rikthehet sërish në infermieri. Mbrojtësi ka pësuar një tërheqje muskulare, duke shtuar dhimbjet e kokës për trajnerin, Zidane.

Lajmi është bërë i ditur nga klubi i Real Madrid, që përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare ka pohuar se mbrojtësi do mungojë edhe për disa ditë me skuadrën.

“Pas testeve të kryera, Sergio Ramos është diagnostikuar me lëndim të muskulit në këmbën e tij të majtë”, thuhet në njoftimin e klubit.

35-vjeçari ishte në fushë të mërkurën ndaj Chelsea në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve dhe tashmë pritet të mungojë sërish në urdhërat e Zinedine Zidane.

Ramos ka pasur shumë komplikacione gjatë këtij sezoni, kjo e ndikuar nga dëmtimet dhe infektimi me Covid-19.

Ai ka luajtur vetëm 21 ndeshje këtë sezon me Real Madrid, i cili mund të jetë i fundit për të, pasi ende nuk ka rinovuar kontratën që skadon në verë.

Klan News