Në “Ka një mesazh për ty”, Valdetja ka rrëfyer historinë e saj tejet të vështirë. Gjithçka ka nisur në moshën 3-vjeçare, kur motra e saj më e madhe, i derdh sipër padashje, qumështin e nxehtë.

I është dashur të kalojë kohë të vështirë, shumë peripeci dhe të përballet madje edhe me vdekjen. Për shkak të diegies, kur ishte e vogël, dëgjonte edhe komente negative nga ana e bashkëmoshatarëve të saj. Por fatmirësisht, pas 3- viteve betejë, ajo arriti të dilte fitimtare dhe sot është e fejuar dhe gëzon një shëndet të mirë.

Familja i ka qëndruar pranë, veçanësisht prindërit e saj, të cilët edhe pse ka kaluar kaq kohë ende kanë një peng në zemrën e tyre. Valdetja i ka ftuar në studio dhe ka një mesazh për ta.

Valdetja: Prindërit, familjen i kam pasur shumë pranë dhe i falenderoj shumë dhe për këtë kam ardhur. Nuk e di si do j’ua shpërblej ndonjëherë, edhe pse prindërve nuk iu shpërblehet, kam idenë janë të pashpërblyeshëm për atë që bëjnë për fëmijët. Kur rritesh, kur atakohesh dhe ke një problem, të paktën unë kështu e kam quajtur, deri në një fazë moshe pasi kam kaluar adoleshencën, e kam përjetuar goxha keq.

Ardit Gjebrea: Çfarë të bënte ty ta ndjeje këtë gjë?

Valdetja: Në atë periudhë kohore, kur isha fëmijë thoja, nuk më duan shoqet, më shajnë, më fyejnë. Më thoshin: Iii si je bërë ti kështu? Çfarë të ka ndodhur?

Ardit Gjebrea: Ti ke shenja akoma dhe sot?

Valdetja: Po, kam!

Ardit Gjebrea: Ti je e fejuar apo beqare?

Valdetja: Jam e fejuar!

Ardit Gjebrera: Më trego pak për raportin me të fejuarin!

Valdetja: Kur i tregova që kam këtë problem, nuk e kisha menduar, por u emocionua sepse i erdhi keq për atë që më kishte ndodhur. Shikoja lot në sytë e tij. Që nga ai moment më ka thënë këtë pjesë nuk dua ta prekësh më. Për mua, je personi më i veçantë që ekziston dhe sinqerisht mos ki as pikën më të vogël të dyshimit, që unë do ta përmend ndonjëherë.

Prindërit e Valdetes e kanë pranuar ftesën dhe erdhën në studion e “Ka një mesazh për ty”. Mamaja e saj nuk i mban dot lotët, kur e shikon bijën e saj në anën tjetër të ekranit.

Valdetja: Unë e di që ju keni një peng, pengu tuaj është që unë jam djegur. Gjithmonë e thoni, sikur mos e kishim lënë në dorën e vajzës, nuk do kishte ndodhur kjo që ndodhi dhe ti nuk do kishe kaluar këto dhimbje dhe peripeci. Në sytë tuaj kam parë pendesë. Dua t’ju them që nuk ka asgjë që ju të më mbani peng, siç e shikoni unë jam shëndoshë e mirë, gëzoj shëndet të plotë./tvklan.al