Dhunimi i 3-vjeçares, qytetarët u grumbulluan para Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Rendit. Balla: Mosreagimi në kohë, basahkëpunim me dhunuesit

Qytetarë të shumtë kanë protestuar pasditen e sotme, përballë Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Brendshme, për rastin e vajzës 3-vjeçare të dhunuar nga edukatorja në kopshtin privat në Tiranë.

Qytetarët, shumë prej tyre edhe të shoqëruar nga fëmijët e vegjël, duke thërritur “Ndalni dhunën” kanë kërkuar drejtësi.

“Mos m’i prek fëmijët”, “Mos përfito nga fakti që unë nuk mbrohem dot”, “Ky nuk është sistem i Arsimit, por sistem i krimit”, janë disa nga pankartat që qytetarët mbanin në duar.

Protestuesit kanë kërkuar më shumë siguri për fëmijët e tyre në kopshtet dhe çerdhet private, si edhe punonjës të kualifikuar në institucionet shtetërore.

Pas Ministrisë së Arsimit ata kanë marshuar drejt Ministrisë së Brendshme, ku pas dy orësh protesta ka përfunduar.

“Të mbyllen tërësisht çerdhet dhe kopshtet e palicensuara. Sipërmarrësit e tyre duhet të ndiqen penalisht. Licencat për çerdhet, kopshtet jopublike të kushtëzohen me vlerësimet psikologjike të stafit.”

“Të bëhet drejtësi. Gjërat janë shumë të qarta.”

“Institucionet të mos kenë nevojë për protesta, por të bëjnë realisht punën e tyre. Të jenë të ashpër. Sigurisht që zemrat tona janë të thyera dhe mendimet, zemra dhe çdo gjë shkon me familjen që ka pësuar këtë gjë.”

Me kete proteste para ministrisë së tij ka qenë dakord edhe Taulant Balla. Ministri i Brendshëm është shprehur se çdo lloj forme e mosreagimit në kohë për ngjarje të tilla, është bashkëpunim me dhunuesit.

“Bashkë me qytetarët mund të kisha protestuar edhe unë. Nuk ka asnjë problem. Mendoj që reagimi i Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera ka qenë i duhur. Janë bërë të gjitha verifikimet që lidhen me hetimet që duhet të kishte bërë në kohë Policia e Shtetit dhe prandaj ne kemi ngritur një akuzë për shpërdorim detyre ndaj dy punonjësve të Policisë së Shtetit dhe ky është rasti për të kujtuar që çdo lloj forme mosreagimi në kohë është një bashkëpunim me dhunuesit. Procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit vijon. Të jeni të sigurtë që unë ndjek me vëmendje çdo rast.”

Klan News