Policia ka zbardhur dinamiken e ngjarjes së mbrëmjes së të shtunës në Elbasan ku mbeten të vrarë Endrit Alibej 34 vjeç, daja i tij Arben Dylgjeri 56 vjeç dhe shtetasi turk Erdal Durunay 51 vjeç.

Por zbulimi i autorëve të kësaj masakre duket se është larg pavarësisht se në policinë e Elbasanit u shoqëruan dhjetëra persona. Asnjë nga dëshmitë e tyre deri tani nuk ka dhënë asnjë ndihmë për të identifikuar atentatorët apo edhe porositësit e tij.

Blutë kanë dyshime se krimi është kryer nga vrasës me pagesë. Në drejtim të makinës me të cilën udhëtonin 3 viktimat dyshohet se është qëlluar me dy armë automatike. Shenjat e shumta të plumbave janë të dukshme. Të tre viktimat kishin vetëm pak ditë që ishin kthyer në Shqipëri për festat e fundvitit. Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e krimit ka dyshime se atentati ndaj këtyre personave që mbaheshin në survejim ka kohë që planifikohet.

Ai ka qenë i mirëorganizuar pasi në makinën ku udhëtonin viktimat kanë qenë vetëm ata. Pas tyre ishin dhe dy makina të tjera ku brenda saj ishin familjaret e tyre, pasi të gjithë bashkë kishin qenë në një restorant ku kishin darkuar.

Personat që kanë marrë pjesë në atentat dyshohet se kanë qenë të paktën tre, të cilët ende nuk janë identifikuar. Ata janë larguar më pas në drejtim të Peqinit.  Kjo e konfirmuar nga kamerat e sigurisë së bizneseve te zonës të cilat janë sekuestruar dhe janë duke u këqyrur. Objektiv i atentatit dyshohet te ketë qenë Endrit Alibej, i cili në 2013 u arrestua në Itali për trafik kokaine si një nga drejtuesit e një grupi kriminal. Bashkë më të i arrestuar ka qenë dhe Eno Bedalli, i vrarë ne atentatin e 3 Shkurtit 2016 po në Elbasan, ku u vranë 3 persona dhe u plagosën 7 të tjerë. Policia dhe prokuroria për këtë ngjarje të rendë është fokusuar vetëm tek një pistë, ajo e përplasjes së grupeve kriminale në trafikun e drogave të rënda në Holandë dhe Angli. Në këto vende grupet rivale të cilat origjinën e kanë në Elbasan, kanë patur konflikte të shpeshta dhe përplasje mes tyre.

Tv Klan