30 persona mbetën të vrarë, mes tyre edhe studentë, në një sulm me autobombë në lindje të Afganistanit këtë të premte. Sipas BBC, ngjarja ndodhi afër një bujtine në Pul-e-Alam, në kryeqytetin e provincës së Logar, ku studentët mësohet se po qëndronin. Mbetet e paqartë kush qëndron pas këtij sulmi.

Bomba shpërtheu rreth orës 19:00 me orën lokale, duke dëmtuar ndërtesat, përfshirë një bujtinë të zonës. Disa prej viktimave po qëndronin pikërisht në këtë vend. Mes tyre ishin edhe gjimnazistë që po përgatiteshin për të dhënë provimet në universitet.

Nga shpërthimi mbetën të plagosur rreth 90 persona. Sipas zëdhënësit të ministrisë së Brendshme afgane, Tariq Arian, shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha në zonë përfshirë dëmtimin e një spitali dhe të shtëpive përreth.

“Çatitë u shembën dhe njerëzit kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Forcat e sigurisë po përpiqen që të shpëtojnë të bllokuarit”, tha ai.

Makina shpërtheu pranë shtëpisë së ish-drejtuesit të këshillit të provincës, jo shumë larg nga spitali Didar Lawang.

Ngjarja vjen një ditë pasi ushtria amerikane nisi formalisht tërheqjen e trupave të mbetura në Afganistan. Presidenti Joe Biden njoftoi në fillim të këtij muaji se trupat amerikane do të jenë larguar të gjithë nga Afganistani deri në përvjetorin e 20-të të sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

Vendimi zemëroi talebanët që kishin nënshkruar një marrëveshje me Donald Trump, ku kishin rënë dakord që të gjitha trupat do të largoheshin nga vendi më 1 Maj, nëse militantët do t’i qëndronin marrëveshjes.

Afganistani është përballur me rritje të rasteve të dhunës nga militantët përgjatë muajve të fundit, përfshirë rritje të numrit të viktimave të civilëve./tvklan.al