Opinion- Në Dhjetor të 1990-s, Shqipëria kishte hyrë në një nga momentet më të vështira të historisë së saj. Harta evropiane e imponuar pas Luftës së Dytë Botërore, qe transformuar ndjeshëm në vitin 1989.

Në Qershor të 1989-s, Leva Lesa, lideri i lëvizjes solidare që kontestonte regjimin komunist që prej 1980-s fitoi zgjedhjet në Poloni, duke u bërë lideri i parë jo komunist i Evropës Lindore pas 45 vjetësh. Më 9 Nëntor 1989, qytetarët gjermano lindorë kaluan murin e famshëm të Berlinit që i ndante prej 28 vitesh.

Ajo u bë data simbolike e një Gjermanie pa kufij. Çaushesku, i vetmi diktator që kishte tentuar t’i rezistonte ndryshimeve u pushkatua nga një togë e ushtrisë së tij ndërsa tentonte të ikte. Shqipëria mbetej vendi i fundit. Shteti më i izoluar i globit sipas CIA kishte filluar të tronditej.

Në fillim të Janarit të 1990, në Shkodër kishte pasur një tentativë për të rrëzuar bustin e Stalinit. I trembur nga frika, regjimi komunist e hoqi nga qendra e qytetit më 14 Janar, por ruajti monumentet e tij në Tiranë dhe Kuçovë.

Më 28 Janar, në Tiranë qe njoftuar një demonstratë e heshtur. Në Mars kishte pasur përleshje mes banorëve dhe forcave speciale, ku kishte humbur jetën një djalë i ri.

Në Korrik, mijëra persona qenë strehuar në ambasadat e huaja duke e futur regjimin në krizën më të madhe të historisë së komunizmit. Ky qe edhe një moment dhimbjeje për shoqërinë. Shtypi botëror qe fokusuar tek Shqipëria. Klasa politike, tejet e plakur dukej se nuk po kuptonte më asgjë.

Në fillim të Dhjetorit, gjithnjë e më tepër po dëgjohej emri i studentëve dhe hipoteza e një proteste që do të niste prej andej. Më 8 Dhjetor, kryeministri i vendit Adi Çarçani kishte shkuar për një vizitë të papritur në Qytetin Studenti. Ai kishte qenë i papërgatitur të përballej me një situatë të tillë dhe kur ishte larguar kishte deklaruar:“Ramiz Alia më tha të vij këtu sot, ai ka frikë se ndodh diçka”.

 Por ata nuk e dinin se ajo që qe zbuluar nga shërbimi sekret shqiptar do të ndodhte pikërisht atë natë. Ato orë do të ishin të fundit për Shqipërinë komuniste.

Por kush ishte ai që doli i pari nga konvikti dhe nisi të këndojë këngën “Eja mblidhuni këtu këtu”?

Kjo pyetje prodhon emra të panjohur dhe personazhe të ndryshëm, por askush nuk di të thotë me saktësi se si ndodhi realisht. Një version është ai i djegies së transformatorit që furnizonte me energji qytetin.

Por ekziston edhe një version i dytë, se transformatori që djegur nga vetë studentët për të nxitur protestën që dukej se qe paralajmëruar ditët e fundit me parullat kundër Nexhmie Hoxhës. Por kjo ngjarje mbetej ende mister. I djegur rastësisht apo me qëllim ka pak rëndësi.

Dhjetëra studentë dolën jashtë godinave dhe të tjerë duke fikur dritat e dhomave në shenjë solidariteti u bashkuan me ta. Numri i studentëve arriti rreth 2000 dhe u nisën drejt rrugës së Elbasanit. Më të vendosur se kurrë ata kërkuan takim me Presidentin Ramiz Alia.

“Nëse nuk kthehemi për 40 minuta, nuk kemi për t’u kthyer më”,kishte thënë Azem Hajdari përpara se të nisej për në takimin me Alinë. Takime me presidentin Alia qe i qetë, siç kanë treguar studentët e asaj kohe, por vetë Alia e kishte ndjerë se ata nuk kërkonin thjeshtë përmirësim të kushteve në konvikte, por pluralizëm politik. Pas takimit me Alinë, studentët kthehen tek turma, por nuk arrijnë t’i sqarojnë.

Në atë moment një polic bërtet: “Më vodhën pistoletën”. Kjo thirrje, e cila ishte jo reale, do të provokonte dhunën ndaj studentëve. Ishte një moment i tmerrshëm dhe një prej studentëve iu drejtua Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai duke i thënë:“Ramiz Alia na premtoi se nuk do të kishte dhunë!”.

Por përgjigja ishte e menjëhershme: “President këtu jam unë!

Një dhunë e tmerrshme filloi ndaj rreth 2000 studentëve që ndodheshin aty, të cilët u tërhoqën drejt Qytetit Studenti. Por policia nuk ndërhyri në Qytetin Studenti dhe kjo i la hapësirë studentëve të organizonin me qetësi se çfarë do të bënin të nesërmen. Mëngjesin e datës 9 Dhjetor, një grup studentësh bëhen bashkë dhe në mencën e Qytetit Studenti listojnë një sërë pikash drejtuar presidentit Ramiz Alia. Ndërkohë, disa prej pedagogëve kishin filluar të mbështesnin studentët në mënyrë direkte, apo indirekte./tvklan.al