Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj dhe drejtues të tjerë të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, morën pjesë ditën e sotme në Forumin e Biznesit me temë “Fiskalizimi”, takim ky i thirrur dhe organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Eventi u organizua në kuadër të fushatës që Administrata Tatimore ka ndërmarrë për informimin, sensibilizimin dhe nxitjen e bizneseve për të nisur zbatimin sa më korrekt të Fiskalizimit.

Takimi fillimisht u hap nga Presidenti i AmCham, Enio Jaco, i cili theksoi rëndësinë e këtij procesi dhe të përfitimeve që biznesi do të ketë me implementimin e tij.

Falenderoj DPT për pjesëmarrjen dhe qasjen bashkëpunuese që kanë gjithmonë. Ka qenë gjithmonë e rëndësishme për ne që anëtarët dhe bizneset të shkëputen nga sistemi burokratik i raportimit, që ka disa të meta, duke kaluar në një mekanizëm të ri. Ky është një proces me interes të lartë për ne, sepse ka një impakt të drejtpërdrejtë tek ne. Fiskalizimi zvogëlon evazionin fiskal, zvogëlon informalitetin në ekonomi dhe zvogëlon mundësinë e korrupsionit në Administratë. 3 elementë këto, që kanë shumë rëndësi për ne si AmCham. Ekonomia informale ka qenë një problematikë e vjetër e jona dhe shpresojmë shumë që të kemi një përmirësim me anë të këtij procesi. Fiskalizimi është një proces ndihmues në shumë drejtime. Unë vlerësoj shumë fushatat e vazhdueshme që DPT ka ndërmarrë, por gjithashtu edhe konsultimet publike. Ne dëshirojmë që këto konsultime të jene efektive. Një nga kërkesat tona kanë qenë trajnimet dhe do të nxisja stafin e AmCham që të vazhdojnë punën aktive në këtë drejtim” tha ndër të tjera Jaco.

Nga ana e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Ibrahimaj u shpreh se Administrata Tatimore ka qenë gjithmonë e hapur për të tilla bashkëpunime.

Si çdo reforme ka nevojë për një periudhë asimilimi të këtij ndryshimi. Jemi të angazhuar që të zhvillojmë sistemin, me të gjitha palët e interesit. Jemi të angazhuar të zhvillojmë sistemin në një mënyrë që të jetë sa më i lehtë për t’u përdorur dhe të jetë sa më afër nevojave të biznesit. Kemi bërë takime të ndryshme dhe kemi ndërmarrë iniciativa për ta zhvilluar sistemin, për t’i ardhur në ndihmë sektorve të ndryshëm si Exchange, sektori i transportit etj“. 

Që prej datës 1 Janar 2021, ka nisur faza e parë e këtij procesi për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe Organeve publike, vetëm me faturë elektronike, B2G. Prej datës 1 Korrik 2021, do të nisë zbatimi për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve, B2B. Ndërsa nga 1 Shtatori do të nisë zbatimi për transaksionet me para në dorë të tatimpaguesvë, B2C.

Pavarësisht këtyre afateve ligjore, Administrata Tatimore inkurajon të gjithë bizneset që të nisin që tani të Fiskalizohen, në mënyrë që të ambientohen dhe të familjarizohen sa më shumë me sistemin./tvklan.al