Dhoma Amerikane: Klima e biznesit, e pafavorshme



Dhoma Amerikane: Klima e biznesit, e pafavorshme

15:41 29/06/2020

Kim: Politika të punojë për t’i dhënë fund korrupsionit

Indeksi i Dhomës Amerikane të Tregtisë për klimën e biznesit në Shqipëri shënoi rënien më të madhe të 8 viteve të fundit, duke arritur në normën 38.17 %, shumë poshtë kufirit 50% që e konsideron klimën të favorshme. Për presidentin e Dhomës Amerikane Enio Jaço, më shumë se gjysma e investitorëve, 66% , mendojnë se Shqipëria ka një klimë të pafavorshme të të bërit biznes, ndërsa shqetësimi më i madh për ta është situata politike, konkurrenca e pandershme dhe korrupsioni.

“Vetëm 7% e anëtarëve tanë e konsiderojnë pozitive dhe 26% neutrale. Unë dua të jem i drejtpërdrejtë me ju, këto janë parametra që ne na shqetësojnë! Nëse bëjmë një krahasim me 2018, vetëm 4 nga 27 ondikatorë janë përmirësuar, ndërsa 23 janë përkeqësuar”.

Fjalën korrupsion e përmendi më shumë se njëherë dhe ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.

“Përveç tërmetit dhe situatës së paprecedentë me Covid, kemi patur edhe çështje politike që trembin investitorët amerikanë të vijnë në Shqipëri. Besoj se mund të punoni bashkë që t’i zgjidhni. Ka konkurrencë të pandershme dhe korrupsion. Fakti që situata politike mbetet shqetësimi kryesor, do të thotë se shqiptarët janë të lodhur me politikë. Ata duan zgjidhje dhe jo sorrollatje, janë të dëshpëruar. Duan që liderët të punojë bashkë për të mirën e tyre. Shqiptarët duan rezultate, jo fyerje, duan vizion, jo ndarje”.

Drejtori i BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli mori si shembull procesin e tenderimit të parkut të Karavastasë për të treguar se kur një projekt tenderohet në mënyrë transparente, investitorët e huaj vijnë.

“Kur ka një proces tenderimi transparent, si ai i parkut të Karavastasë, investitorët e mëdhenj vijnë. Këtë e kemi parë, por vitet e fundit nuk kemi parë shumë kompani të huaja të mëdha të vijnë këtu. Që ata të vijnë duhet të luftoni korrupsionin.”

Palët politike në Shqipëri fajësojnë njëri-tjetrin. Dhoma Amerikane kërkon bashkëpunimin e forcave politike për t’i ardhur në ndihmë biznesit, sidomos në situatën që ka krijuar pandemia dhe tërmeti, ndërsa është e shqetësuar se kjo situatë do të ulë të ardhurat e biznesit dhe do të rrisë papunësinë. Megjithatë ajo është skeptike për nisma të rritjes së ekonomisë përmes legalizimit të kanabisit.

Tv Klan



Të ngjashme