Jaço: Sfidë, ta zgjidhim këtë vit. Gazheli: Referencë kanë vetëm 3% e mallrave

Problemi i çmimit të referencave prej vitesh mbetet një nga shqetësimet kryesore të komunitetit të biznesit. Një çështje të njëjtë me takimet e tjera që kanë patur me drejtues të autoriteteve doganore, anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë e kanë shtruar dhe njëherë në diskutimin që bënë me kreun e doganave Gent Gazheli.

“Çështjet ose problematikat që ne kemi sikur nuk ndryshojnë. Janë të njëjtat problematika nga viti në vit. Unë do doja t’i bëja një sfidë zotit Gazheli, është një sfidë e përbashkët që ndoshta këtë vit të marrim një angazhim të dy bashkë që të paktën të zgjidhim një nga këto çështje.”

Por në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave tha se krahasuar me vitet e tjera aplikimi i çmimeve të referencës, ku taksa paguhet në bazë të vlerës që jep dogana dhe jo fatura, është vetëm për 3% të mallrave.

“Në lidhje me aplikimin e të dhënave të disponueshme (referencave) do dëshiroj t’iu informoj që aktualisht gjatë vitit 2020 përdorimi i referencave (duke u zhveshur nga mallrat e bursës dhe automjetet që përdoren nga individët) ka qenë në masën 3%.”

Ky konstatim nuk është pranuar nga anëtarët e Dhomës Amerikane, të cilët thanë se dhe te mallrat e bursës aplikohet referenca.

“Çmimi i referencës aplikohet dhe për mallrat e bursës, subjekteve u është riaplikuar referenca, duhet të bëhet transparencë me mënyrën si vendosen ato.”

Anëtarët e Dhomës Amerikane kërkuan që autoritetet doganore të korrigjojnë veten në momentin që një kompani fiton të drejtën për një çështje në gjykatë dhe të mos detyrojnë firmat që për çdo procedurë importi t’i drejtohen gjykatave, ndërsa sugjeruan trajnime dhe edukim të punonjësve doganorë në rrethe.

Tv Klan