alergjiiSëmundjet alergjike shfaqen në mënyra nga më të ndryshmet, ndaj është e rëndësishme që vemendja për trajtimin e tyre të jetë e veçantë. Dr. Alergologe, Mira Xhixha ka shpjeguar shenjat paralajmëruese të alergjisë dhe mënyrat e parandalimit, duke dhënë më tepër detaje në lidhje me këto sëmundje, të cilat shfaqen nga format më të lehta deri tek më të rëndat. Sipas Xhixhës alergjitë e frymës janë më të përhapura dhe më të rrezikshme se sa alergjitë e lëkurës dhe lidhur me këtë ajo këshillon që konsultimet me mjekët specialistë të jenë të vazhdueshme.

Sipas mjekes, dhoma e gjumit dhe ambjentet me lagështrë ndikojnë në zhvillimin e alargjive të ndryshme.

Cilat janë shenjat paralajmëruese të alergjisë?

Në përgjithësi alergjia prek më shumë aparatin e frymëmarrjes dhe të lëkurës. Shqetësimet e një individi i cili është i prekur nga alergjia lidhen ngushtë me rrugët e sipërme të frymëmarrjes, rrufën dhe ndikimi në rrugët e frymës brenda mushkërive. Alergjia mund të paraqitet vetëm si rrufë ose si azëm, por në shumicën e rasteve i gjejmë të dyja bashkë, varet nga shkaqet që e kanë sjell. Shenjat e rrufës janë tipike dhe kanë të bëjnë me të teshtitura të forta në grupe, bllokim hundësh, kruarje dhe djegie të syve, kullim të ujshëm të hundëve dhe lotim që mund të ndodhin në stinën e pranverës kur kemi alergji nga polenet, por këto shenja mund të mbizotërojnë edhe përgjatë gjithë vitit dhe lidhen ngushtë me ambientet e shtëpisë, sidomos me dhomën e gjumit. Një tjetër shenjë paralajmëuese e alergjisë mund të jetë edhe vetëm kolla e thatë, e cila duhet të na zgjojë kureshtjen për t’u vizituar te mjeku.

Shqetësimet në rrugët e frymëmarrjes ku konsistojnë?

Shqetësimet në rrugët e frymëmarrjes ose të astmës janë: Marrje frymë në formë krize të menjëhershme apo frymëmarrje e vështirësuar në disa raste, ndjenjë shtrëngimi në gjoks dhe në grykë, kollë e fortë e thatë etj. Dua të theksoj se këto shqetësime kryesore mund të jenë të grupuara tek një person, por mund t’i gjejmë dhe të veçuara, që do të thotë që mund të shfaqen edhe me një shenjë të vetme, bllokim hundësh apo kollë të pashoqëruara me sipmtoma të tjera.

Po te alergjitë e lëkurës çfarë shenjash vihen re?

Tek shenjat e lëkurës janë ato puçrrat e zakonshme, të fryra, të skuqura apo me krurje. Alergjitë e lëkurës në krahasim me alergjitë e frymëmarrjes hasen më rrallë.

Doktoreshë Mira për t’ju rikthyer dhe njëherë ambientit të shtëpisë përse dhoma e gjumit mbart rrezikun më të madh?Në përgjithësi ambjentet e qendrimit në shtëpi të cilat kanë lagështirë apo janë të mbylluara janë ngacmuese për të prekurit nga alergjia, pasi ka disa mikroorganizma që quhen akariene ose plhuhrat e shtëpisë të cilat qendrojnë më tepër në ambientet tona dhe ushqehen më lëkurën që na bie gjatë natës. Burimi ose rezeravati më i madh për “ngacmimin” e alergjisë është dhoma e gjumit, krevati. Aty qendrojnë dhe zhvillojnë aktivitetin e tyre duke u shumuar. Këtë lloj shkaktarësh janë më të përqendruar në shtëpitë ku ka lagështirë, në shtëpitë ku ka mungesë ajrosje, ku ambjenti është i mbyllur, duke u zënë nga orienditë shtëpiake. Ky pra është shkaku më i madh i përhapjes së astmës kudo, sidomos tek fëmijët.

Si trajtohen alergjitë e frymëmarrjes?

Në qoftë se alergjia e frymëmarrjes diagnostikohet, mjeku specialist vendos diagnozën dhe trajtohet. Trajtimi mund të jetë i vazhdueshëm gjë e cila varet nga forma dhe rasti, por mund të jetë edhe sezonal (varet nga lloji i alergjisë). Alergjia shfaqet me forma të lehta, të mesme dhe të rënda, por dhe në momentet që shfaqet me forma të lehta është mirë që të trajtohet për të mos kaluar në fazë të avancuar, duke rënë pre e krizave të forta. Alergjia aq sa duket e qetë në disa raste është edhe akute, e menjëhershme dhe e shpejtë. Alergjia shfaqet në çdo lloj forme të mundur, ndaj sa më shpejt të diagnostikohet aq më e lehtë është për t’u trajtuar, pasi të gjithë medikamentet e alergjisë dhe të astmës janë në regjistrin e rimbusrimit.

Studimet e fundit tregojnë se alergjia është sëmundje e çdo stine. A mos vallë kanë ardhur duke u shtuar rastet e pacientëve të tillë?

Alergjia mund të jetë gjithë vitin, varet nga shkaku pasi ka alergenë që ekzistojnë gjatë gjithë vitit dhe mund të kenë përqendrim vetëm në disa sezone të caktuara, por ama ekzistojnë gjatë gjithë vitit dhe japin shqetësime. Megjithatë ka edhe alergenë që janë vetëm disa mujorë. Duke patur parasysh ndryshimin e klimës, ngrohjen globale dhe “ngatërrimin” e stinëve, normal që mund të kemi edhe simptoma që nuk i përkasin kësaj stine ose polenit të caktuar që është karakteristikë për pranverën apo vjeshtën, mund ta gjesh rastësisht edhe në stinë të tjera si pasojë e ndryshimit të kushteve klimaterike.

Sa rëndësi i kushtojnë trajtimit individët që diagnostikohen me alergji?

Një pjesë e mirë e individëve pasi diagnostikohen i trajtojnë shumë mirë. Megjithatë ajo që bie në sy është se prindërit janë më të kujdesshëm për të mjekuar fëmijët e tyre, se sa veten. Ndërsa një pjesë e pacientëve adult që janë më azëm bronkiale kanë frikë të përdorin ilaçet, duke neglizhuar përdorimin e gjatë të medikamenteve gjë që sjell dhe përkeqësim të gjendjes shëndetësore. Alergjia është sëmundje kronike, e cila kërkon durim nga individët për t’u trajtuar në formën e duhur.

Intervistoi: Vilma Kërçiku