Nisma u mbështet edhe nga disa përfaqësues republikanë

Dhoma e përfaqësuesve në Kongresin Amerikan ka ngritur zyrtarisht akuza ndaj presidentit Donald Trump, ndërsa votoi me shumicë votash rezolutën për nisjen e procedurës për hetimin dhe shkarkimin e tij.

Nisma e paraqitur nga demokratët mori 232 vota pro dhe 197 vota kundër. Pro nisjes së kësaj procedure votuan edhe 10 përfaqësues republikanë, të cilët bashkuan votat me demokratët.

Votimit i parapriu një debat i gjatë mes demokratëve të cilët e akuzuan Trump-in për shkelje të Kushtetutës duke nxitur kryengritje te mbështetësit e tij në sulmin e 6 Janarit ndaj Kongresit dhe republikanëve të cilët e cilësuan të gjithë këtë debat një shfaqje të radhës kundër presidentit.

Por që kërkesa e demokratëve të miratohet përfundimisht dhe Kongresi të nisë hetimin ndaj Trump, duhet që ajo të marrë edhe 2/3 e votave të Senatit me shumicë republikane, gjë që ka pak gjasa të ndodhë.

Seanca u mbajt nën masa të rrepta pas asaj që ndodhi në 6 Janar. Qindra trupa të Gardës Kombëtare ishin dislokuar në ambientet e kongresit dhe do të qëndrojnë aty deri në përfundimin e procesit të inaugurimit të presidentit të ri të SHBA-ve.

Mediat amerikane publikuan pamje të ushtarëve të cilët qëndrojnë të shtrirë dhe flenë gjumë nëpër korridoret e Capitol-it, ndërsa një pjesë tjetër siguron rrethimin e jashtëm.

Rreth 20,000 trupa të armatosura të Gardës Kombëtare, janë dërguar në Uashington D.C., për të siguruar qetësinë në qytet para inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Ndërsa Dhoma vazhdonte debatin e saj, Trump nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë bëri thirrje për shmangien e dhunës.

“Lidhur me raportimet për më shumë demonstrata, ju bëj thirrje që të mos ketë dhunë, të mos ketë shkelje të ligjit, dhe të mos ketë vandalizëm të çfarëdo lloji. Kjo nuk është ajo në të cilën besoj unë dhe as Amerika. U bëj thirrje të gjitha amerikanëve të ndihmojnë në uljen e tensioneve dhe të qetësojnë gjakrat”, thuhej në komunikatë.

Të martën, Dhoma e Ulët miratoi një rezolutë jo-detyruese që i bënte thirrje nënpresidentit Mike Pence të zbatonte Amendamentin e 25-të për shkarkimin e Donald Trump. Por në një letër që Pence kishte dërguar paraprakisht thuhej se ai nuk do të merrte veprime bazuar në Amendamentit 25-të të Kushtetutës.

Tv Klan