Lidhur me rastin e gruas së dhunuar nga ish-bashkëjetuesi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë caktoi 30 Shtatorin, për shqyrtimin e çështjes.

Gjithashtu ka një reagim nga ana e Koordinatores vendore kundër dhunës në familje në Bashkinë e Tiranës, Anjeza Bojaxhiu, e cila thotë, se nëna me fëmijët do të vlerësohen për shërbime mbështetëse, këshillim falas, konsulta etj.

Anjeza Bojaxhiu, Koordinatore Bashkia Tiranë: Komunikimi i fundit me zonjën është bërë sot në datën 23 shtator 2021, ku zonja u paraqit pranë zyrave të Shërbimit Social, në Bashkinë Tiranë, ku dhe bëmë si ekip një vlerësim të thelluar të nevojave, si dhe për të monitoruar situatën aktuale, si dhe për ta informuar zonjën për të drejtat e saj dhe shërbimet e mëtejshme. Problematikat kryesore vazhdojnë të mbeten siguria e zonjës, por edhe e dy fëmijëve të saj, gjendja e rënduar emocionale e zonjës dhe e fëmijës së madh, transferimi i gjendjes civile nga Devolli në Tiranë dhe regjistrimi i fëmijës së vogël në kopësht dhe mungesa e punësimit, sepse zonja nuk është e punësuar, por e interesuar për punësim. Në vijimësi të trajtimit dhe menaxhimit të rastit, mbetet sigurisht prioriteti më i madh i joni po si ekip, në bashkëpunim edhe me strukturat përgjegjëse mbetet vazhdimësia e monitorimit të urdhrit të mbrojtjes deri në përfundim të tij, në bashkëpunim me komisariatin e policisë numër 3. Këshillimi psikologjik i zonjës, por edhe i djalit të madh dhe është referuar në shërbimet përkatëse për ditën e sotme. Gjithashtu , regjistrimi i djalit të vogël në kopsht dhe punësimi i zonjës dhe për këtë ajo ka bërë dhe një intervistë sot dhe është regjistruar pranë Drejtorisë së Punësimit në Bashkinë Tiranë.

Edhe Avokati i Popullit me iniciativë ka ofruar mbrojtje ligjore dhe strehim për zonjën. Vilma Shurdha, Komisionere e Seksionit të Përgjithshëm tek Avokati i Popullit, shprehet, se është marrë kontakt me zonjën dhe nisën hetimet ligjore, se si janë ndjekur procedurat.  Zonjës i është ofruar konsulencë ligjore falas si dhe iu propozua akomodim.

“Institucioni i Avokatit të Popullit nisur dhe nga rasti mori dijeni për rastin e dhunës. Ne kemi filluar, pas marrjes së miratimit, pasi kontaktuam dhe me të filluam, hetimin e thelluar administrativ. Jemi njohur me rrethanat e ngjarjes dhe kemi filluar punën për të përcjellë në mënyrë zyrtare, duke kërkuar dokumentacionin për rastin konkret. E kemi informuar për mundësitë që ajo ka dhe mënyrën si duhet të orientohet tek institucionet shtetërore. Vijojmë të mbetemi në kontakt me zonjën për dinamikat potenciale që mund të krijohen në lidhje me këtë rast.

Do të doja ta shfrytëzoja këtë hapësirë për t’i kërkuar grave dhe vajzave që të denoncojnë në çdo stad dhunën me të cilën ballafaqohen pa pritur që mund të përshkallëzohet me lëndime fizike apo fatalitete”, tha ajo./tvklan.al