Një 34-vjeçare, e cila po priste të sillte në jetë fëmijën e tretë, mbeti pre e dhunës së bashkëshortit të saj. Ngjarja u regjistrua në Orikum të Vlorës, ku Shpëtim Çeliku, 35 vjeç, qëlloi me sqepar bashkëshorten e tij, e cila ishte në muajin e 6-të të shtatzënisë.

Dy vajzat e tjera të çiftit përjetuan gjithashtu momente terrori, pasi janë të moshës 5 dhe 7-vjeçare. Njoftimi i policisë është bërë nga fqinjët, të cilët nuk e kishin parë gruan që të qarkullonte dhe kishin ndierë shqetësim.

Policia gjeti trupin të pajetë dhe të masakruar me sqepar, por evidentoi se gruaja kishte shenja dhune në trup e kokë dhe se vrasja kishte ndodhur të paktën 2 ditë më parë.

Bashkëshorti në fillim u përpoq që ta fshehë krimin, duke deklaruar se gruaja ishte larguar, por më pas e pranoi krimin. Sipas autoriteteve policore, arsyet e vrasjes kanë qenë për shkak të xhelozizë.

Vajzat e mitura dëshmuan për orët e tmerrit. Ato janë detyruar të flenë në të njëjtin shtrat me të ëmën, e cila kishte ndërruar jetë. Fëmijët aktualisht janë dërguar në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë nën kujdesin e personelit.

Por një tjetër ngjarje e dhunës ndaj grave është regjistruar në Korçë. Rudina Iljazi, sipas të dhënave të policisë, është rrahur nga bashkëshorti i saj pas një grindje të ndodhur në banesën e tyre, ku shkak ka qenë xhelozia.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen 18 të Korçës, ndërsa bashkëshorti i saj Olsi Iljazi e ka goditur me dru në kokë të renë, e cila ishte në pritje të fëmijës së tyre të parë.

Menjëherë ai është arrestuar nga policia, ndërsa 30-vjeçarja po merr trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Korçës, ku gjendja e saj sipas mjekëve paraqitet kritike.

Për të diskutuar mbi fenomenin më dramatik në Shqipëri, dhunën dhe vrasjen në familje, në emisionin “Opinion” ishin të ftuar specialisti për mbrojtjen e të miturve dhe dhunën në familje Ilir Zhurka, aktivistja për të drejtat e grave Sevim Arbana, gazetari Ylli Rakipi, deputetja Mesila Doda, gazetarja Iris Luarasi dhe zv. Ministrja e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Klajda Gjosha./tvklan.al