Edukatorja Majlinda Dehima 48-vjeçare që ushtroi dhunë mbi vajzën 3-vjeçare në kopshtin “Stinët” në kryeqytet është vënë në pranga.

Policia njofton se dyshohet se ajo ka keqtrajtuar një të mitur në një kopsht privat, ku punonte si edukatore.

“Në vazhdim të veprimeve të thelluara hetimore në lidhje me rastin e keqtrajtimit të një 3-vjeçareje në një kopsht privat, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për masën e sigurisë “Arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasen Majlinda Dehima, 48 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit””, njofton policia.

Ndërkohë me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në çerdhe, kopshte e shkolla private, Policia e Shtetit njofton se ka nisur kontrollet në terren për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të aktivitetit nga operatorët ekonomik privat.

Arrestimi i Majlinda Dehimës, ka ardhur pas kërkesës së Prokurorisë Tiranë për caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” ndaj Dehimës për veprën penale “keqtrajtim i të miturit”.

“Kjo masë u kërkua menjëherë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme, më dt. 09.11.2023, të procesverbalit për kqyrjen e pamjeve filmike (usb), i cili është mbajtur më dt. 08.11.2023. Me shkresën nr. 9538/1 prot., dt. 08.11.2023, protokolluar në Prokurori me nr. 10983 prot., dt. 09.11.2023, Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka përcjellë aktin e ekspertimit mjeko-ligjor. Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen veprimet e tjera procedurale për dokumentimin e faktit, në kuadër të procedimit penal nr. 7527, i regjistruar pas kallëzimit mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, Komisariati i Policisë nr.1, për Veprën Penale “Keqtrajtimi i të miturit”, parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal”, njofton Prokuroria Tiranë.

Ngjarja e rëndë u denoncua nga emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan që në datën 6 Nëntor, ndërkohë që dhuna e ushtruar nga të voglës ka ndodhur që në 1 Nëntor.

Në video – “Moj sharabajgë,s’do merrem gjithë ditën”,momenti i thyerjes së këmbës në kopsht _8 Nëntor 2023)

/tvklan.al