Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka dënuar me 110 mijë Euro gjobë Greqinë për dhunën e ushtruar ndaj të burgosurve shqiptarë dhe bullgarë. Hetimi nisi pas ankesave të 11 të burgosur shqiptarë e bullgarë, të bëra më 13 Prill 2013, por që pretendimet e tyre ishin rrëzuar nga autoritetet greke.

Sipas raportit të Gjykatës së Strasburgut, të burgosurit ishin keqtrajtuar duke ishin goditur me elektroshok, ishin detyruar e poshtëruar të ecnin në gjunjë dhe lakuriq. Në Nëntor të vitit 2014, prokuroria greke vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të filluar ndjekjen penale për dhunën e ushtruar ndaj të burgosurve. Po kështu, edhe në Apel kjo çështje mori të njëjtën përgjigje.

Nga hetimi i kryer, u evidentua qartësisht se 11 të burgosurit kishin hematoma dhe shenja dhune në trup. Por në raportin e Gjykatës së Strasburgut, ajo çka cilësohet si më e rëndë është fakti se Prokuroria greke nuk bëri asnjë hetim për këtë rast. Për këtë arsye, shteti grek është gjobitur dhe duhet t’i paguajë secilit të burgosur të dhunuar nga 10 mijë Euro, plus 1500 Euro për shpenzimet dhe kostot e tjera.

/tvklan.al