Dhuna në familje duket se është një fenomen shqetësues. Vetëm në 24 orët e fundit janë arrestuar 3 persona që ishin në kërkim për këtë vepër, penale ndërkohë dhe 2 të tjerë kanë rënë në pranga, pasi janë denoncuar nga familjarët.

Policia e Tiranës sqaron se në pranga ka rënë F.Y. 26 vjeç, D.P. 32 vjeç dhe M.Sh. 41 vjeç, të cilët kanë qenë në kërkim për dhunë në familje.

“F. Y., 26 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë ndalimin e shtetasit D. P., 32 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë ndalimi i shtetasit M. Sh., 41 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës Parë Tiranë e ka dënuar me 3 muaj burg, për veprën penale ‘Dhuna në familje’“, sqaron policia.

Ndërkohë që janë arrestuar dhe 2 persona të tjerë të cilët janë denoncuar se kanë dhunuar përkatësisht nënën dhe bashkëshorten.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. L., 19 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 39 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij“, shtohet më tej në njoftimin e bluve të Tiranës./tvklan.al