Ministri i Brendshëm Taulant Balla thotë se punonjësit e policisë të Komisariatit Nr.1 që nuk kanë kryer plotësisht detyrën për rastin e dhunës në kopsht ndaj vajzës 3-vjeçare janë akuzuar për shpërdorim detyre.


Duke folur për gazetarët pas protestës së prindërve në Tiranë, Balla theksoi se çdo lloj forme e mosreagimit në kohë për ngjarje të tilla, është bashkëpunim me dhunuesit.

Ministri Taulant Balla: Policia sapo ka zbatuar një urdhër të Prokurorisë për ndalimin e edukatores…

Gazetarja: Që është disi i vonuar duhet të themi apo jo sepse ngjarja ka ndodhur në datë 1.

Ministri Taulant Balla: Vendimet e drejtësisë unë nuk i komentoj asnjëherë. Ndërkohë që veprimet e tjera të Policisë së Shtetit, besoj që jeni njohur. Kolegu juaj gazetar Saimir Kodra ka komunikuar drejtpërsëdrejti me mua që nga momenti i parë, që nga ai moment janë bërë të gjitha verifikimet që lidhen me hetimet që duhet të kishte bërë në kohë Policia e Shtetit, dhe prandaj ne kemi ngritur një akuzë për shpërdorim detyre ndaj dy punonjësve të Policisë së Shtetit. Dhe ky është rasti për të kujtuar se çdo lloj forme mosreagimi në kohë është një bashkëpunim me dhunuesit. Dhe prandaj edhe në rastin e vajzës në Vlorë, përsëri reagimi i ministrit të Brendshëm dhe i agjencive të tjera ligjzbatuese ka qenë dënues për rastin e dy punonjësve të policisë, të cilët nuk bënë akt-ekspertimin në kohë për vajzën, kështu që procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit vijon. Të jeni të sigurt që unë ndjek më vëmendje çdo rast, nuk pata mundësi t’i takoja protestuesit për shkak se u larguan më shpejt se sa duhet…

Gazetarja: Faktikisht nuk u larguan më shpejt se sa duhet, sepse prindërit dhe qytetarët e Tiranës protestuan për rreth 2 orë.

Ministri Taulant Balla: Nuk është korrekte kjo nga ana juaj e vërteta është që unë këtu zbrita dhe ju gjeta vetëm ju. Por ajo që ka rëndësi, mendoj që është mesazhi, është që tani është momenti të lemë drejtësinë të bëjë detyrën e vetë. Ndaj drejtësisë besoj që kemi të gjithë këtë besim. Drejtësia e re që ka lindur tashmë mbi ato gërmadhat e drejtësisë së vjetër po jep shenja të duhura.

Kujtojmë se edukatorja që i theu këmbën vajzës 3 vjeç në kopsht, rast që u denoncua nga emisioni Stop në Tv Klan, u arrestua pasditen e sotme.

/tvklan.al