Kryeministri Edi Rama shpreh solidaritet për punonjësit e policisë, të cilët ndodhen në terren, ndërkohë që opozita proteston para parlamentit. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shpreh keqardhje për efektivët e lënduar, ndërsa opozitën e quan të dëshpëruar.

“Solidaritet me çdo punonjës policie që në ditë si kjo, duhet të përballet me ekseset fizike të një politike të dëshpëruar, pa kokë, pa drejtim, pa të nesërme! Keqardhje për policët e plagosur nga goditjet qorre të dy partive të verbuara, që marshojnë në rrugën e vetëshkatërrimit”

, thotë Rama në një postim në Twitter.

Pas zhvendosjes së protestës para parlamentit, protestuesit u përplasën me policinë. Ata hodhën tymuese, flakadanë e kapsolla në drejtim të efektivëve, ndërsa këta të fundit iu përgjigjën me gaz lotsjellës.

Të paktën 5 efektivë policie mësohet se kanë mbetur të lënduar, një prej të cilëve me dëmtime dhe djegie në fytyrë. Edhe në mesin e protestuesve ka persona të cilët janë ndjerë keq si pasojë e gazit lotsjellës.

/tvklan.al