KomisionKorridoret e Kuvendit janë kthyer në arenë boksi mes deputetëteve të Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia e Armando Prenga si dhe deputetit demokrat Gent Strazimiri.

Konfrontimi fizik i cili ndodhi jashtë ambjenteve të Komisionit të Ligjeve, u denoncua nga deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili tha se opozita nuk do të bëhët më pjesë e një Parlamenti të kapur.

Gjithçka nisi më herët në Komisionin e Ligjeve, kur deputeti demokrat Gent Stazimiri teksa diskutoheshin ndryshimet në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë i kërkoi Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço nëse mazhoranca do të ngrinte një tjetër grup kontrolli edhe për KLD-në , sikundër u bë me Shërbimin Informativ Shtetëror.

Deputeti Gent Strazimiri përmes faqes së tij në Facebook ka sqaruar dhunën fizike që ndodhi në korridoret e kryesisë së Kuvendit, për të cilën thotë se nuk është provokimi i parë që i bëhet nga 4 deputetë të PS-së, nën drejtimin e Armando Prengës, person të cilin e akuzon si të dënuar në Itali për thyerje vilash, drogë dhe prostitucion. Për këtë arsye thotë Strazimiri në seancën plenare të 10 prillit i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që “eksperienca e burgaxhinjve që ka futur në Kuvend, nuk e ndihmon ne rrugën e integrimit” dhe se “reduktimi i Parlamentit në një vend konflikti mes bandave rivale në një kaush burgu” nuk është zgjidhje e hallit të tij.

Por deputeti Armando Prenga teksa ka pranuar se ka qënë pjesë e përplasjes në korridoret e kuvendit, ka sqaruar se ndodhej atje thjesht për të ndarë  Strazimirin dhe Qefalinë. Fakt që është mohuar nga deputeti socialist Xhemal Qefalia kur u pyet pas përfundimit të Komisionit të Ligjeve.

TV KLAN