Tre të arrestuar në Tiranë

Tre persona kanë përfunduar në pranga në Tiranë për dhunë në familje. Bëhet fjalë për tre raste të ndryshme, në një prej të cilave një 44-vjeçar ka keqtrajtuar në mënyrë sistematike fëmijën e vogël dhe ka përndjekur ish-bashkëshorten.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. B., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi në mënyrë sistematike ka keqtrajtuar fëmijën e tij të mitur, si dhe ka kanosur dhe përndjekur ish-bashkëshorten, duke i shkaktuar gjendje ankthi dhe frikë asaj dhe familjarëve”, sqaron policia në një njoftim për mediat.

Rasti tjetër protagonist ka një 27-vjeçar. Sipas policisë ai ka dhunuar fizikisht e psikologjikisht bashkëjetuesen e tij, në shtëpinë e tyre në rrugën Shaban Bardhoshi”. Autoritetet plotësuan kërkesë-padinë për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes ndaj të dhunuarës.

Ndërsa në një tjetër shtëpi, në këtë rast në “Myftar Gërbolli”, një 25-vjeçar dhunoi fizikisht nënën e tij. Edhe ndaj kësaj të fundit u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes./tvklan.al