Dhuna në protestat kundër arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoğlu nuk u ndal as në natën e 6-të radhazi të tyre. Gazi lotsjellës, flakadanët, topat me ujë dhe plumbat e gomës u shkëmbyen sërish mes protestuesve dhe policisë që u përpoq t’i shpërndante, pas urdhërit të 6 ditëve më parë për ndalimin e manifestimeve, që gjithsesi nuk pati asnjë efekt.
Policia arrestoi disa protestues në Stamboll, ndërsa pati edhe të lënduar nga përleshjet. Partia Republikane njoftoi pas tubimeve të natës së 6-të se nga e Marta nuk do të ketë më protesta, pa përcaktuar se cilët do të jenë hapat e radhës.
Mbrëmjen e të Hënës, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan i quajti protestat “manifestime të së keqes”.
“Në vend që të përgjigjen ndaj akuzave për korrupsion, grabitje, ryshfet dhe zhvatje, ata kanë bërë thirrje nga më të ndyrat dhe të paligjshmet në historinë tonë politike për pesë ditët e fundit. Mjaft u prishët qetësinë qytetarëve. T’ju vijë turp për të keqen që po i bëni vendit.”
Deri më tani numërohen 1 133 protestues të arrestuar. Ekrem İmamoğlu u arrestua të mërkurën me akuza për përfshirje në afera të rënda korruptive me tenderat e bashkisë që drejton. Ndërsa opozita akuzon presidentin Recep Tayyip Erdoğan si urdhërues të arrestimit, pasi po përpiqet ta përjashtojë nga gara presidenciale e 2028-ës, ku mund të kandidojë edhe vetë Erdoğan nëse miratohen ndryshime që ia lejojnë këtë pas 2 mandatesh të ezauruara.
Tv Klan