Ka degjeneruar në dhunë e përleshje me policinë, protesta anti-qeveritare përpara në Bukuresht. Qindra manifestues u përleshën ashpër me policinë në sheshin përpara Parlamentit rumun. Të paktën 440 persona u plagosën, mes të cilëve mbi 20 policë.

Përleshjet nisën para mesnatës, pasi policia ndërhyri për të shpërndarë turmën e madhe prej rreth 60 mijë manifestuesish. Manifestuesit hodhën parrulla kundër qeverisë socialdemokrate, të cilën e akuzojnë si të korruptuar.

Një nga motivet e protestës ishte shkarkimi i prokurores së famshme anti-korrupsion Laura Kovesi. Në Korrik, Parlamenti miratoi shkarkimin e saj me shumicë votash, duke detyruar edhe presidentin Klaus Johanis të dekretojë shkarkimin e saj, pavarësisht se ai është shprehur publikisht kundër.

Në punën e saj 5 – vjeçare, Kovesi ka ngritur akuza për korrupsion për dhjetëra deputetë dhe ministra të qeverive socialdemokrate. Ministri aktual i Drejtësisë Tudorel Toader i konsideroi sulme politike proceset e hapura nga Kovesi, që po dëmtonin imazhin ndërkombëtar të Rumanisë.

Socialdemokratët kanë miratuar muajt e fundit disa ligje, që reduktojnë pavarësinë e gjyqësorit, çka është kritikuar ashpër edhe nga Bashkimi Europian.

Tv Klan