Emisioni “Stop” ka publikuar sot historinë e Hysen Ajasllarit, i cili është dhunuar nga djali i tij dhe ka pësuar dëmtime të shumta, në kokë, qafë e trup. Por historia në familjen Ajasllari është edhe më e rëndë , pasi i dhunuar nuk ishte vetëm babai 92-vjeçar, por dhe djali tjetër i tij bashkë me nusen.

Lidhur me rastin e dhunës të së moshuarit 92-vjeçar nga i biri, emisioni “Stop” i është drejtuar psikologes Gejsi Ndoja, e cila thotë, se ankthi dhe trauma në këtë moshë mund të shkaktojë edhe trauma të rënda dhe probleme kardiake. Ajo shton se kurimi i pasojave kërkon kohë.

Më vjen shumë keq që rasti është moshë e thyer, por ne kemi kemi pasur dhe raste të tjera që nga viktimë e dhunës kanë përfunduar në viktima me jetë. Trauma është më e madhe për shkak të lidhjes familjare që ka viktima me dhunuesit. Dhuna e lë me ndjenjë frike dhe mund të ketë probleme kardiake më pas”, thotë ndër të tjera psikologia.

Rasti i 92-vjeçarit ka shkuar dhe në gjyq dhe e bija e të dhunuarit tregon se në seancë gjyqësore pati debate shumë të ashpra midis gjyqtares, avokatit dhe prokurorit.

Sipas saj, gjyqtarja ka vënë duart në kokë, kur ka parë fotot dhe nuk arrinte të kuptonte, se pse agresori është nën masën “detyrim paraqitjeje”. Pas këtij momenti vajza tregon, se ka kërkuar urdhër mbrojtjeje për babanë nga i biri.

Sot, isha te gjyqi, atje. Pati debate shumë të ashpra midis gjyqtares, avokatit dhe prokurorit. Replikuan shumë, se ajo i kërkonte të gjitha dokumentet. Do më dërgosh akuzën i tha, provat, etj. U zu keq me prokurorin. Kanë vënë duart në kokë, kur panë fotot. Donte akt-akuzën e babait dhe pse e kanë lënë të lirë me detyrim paraqitje? Urdhrin e mbrojtjes do t’ia japë babait ajo. Nuk e paskemi patur. Di gjë unë ? Unë vajta në polici dhe u thashë, se dua urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes dhe ata ia kanë dërguar gjykatës dhe gjykata sot u kujtua”, tregon e bija e të moshuarit./tvklan.al