Dehima akuzohet për “keqtrajtim të të miturve”

Majlinda Dehima, edukatorja që dhunoi fëmijën 3 vjeç, duke i shkaktuar frakturë e thyer këmbën në ambientet e kopshtit privat, akt i paprecedent i shfaqur me video në emisionin Stop në Tv Klan, është arrestuar pasditen e kësaj të enjteje.

Prangosja e saj nga policia u bë pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, e cila bëri të ditur se Dehima akuzohet për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.

Ngjarja e rëndë u regjistrua më 1 Nënntor, dhe krahas veprimeve hetimore për zbardhjen e saj u zbulua se kopshti ‘Stinët’ ku dhunua fëmija zhvillonte aktivitetin pa licencë.

Për këtë arsye në hetim janë vënë dhe çifti i pronarëve të këtij institucioni jo publik Daniel e Entela Danushi.

Sakaq me akuzën se nuk kanë kryer veprime hetimore për të vënë para përgjegjësisë autorët e dhunimit të 3-vjeçares, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar materialet për “shpërdorim detyre” për dy prej punonjësve të pezulluar të Komisariatit Nr.1 në Tiranë.

Konkretisht bëhet fjalë për Ylli Çakon, shefin e seksionit të Komisariatit Nr.1, si dhe oficerin e policisë gjyqësore, Ergys Brahimaj të cilët janë marrë me rastin e dhunës së të miturës, që iu thye këmba.

Më herët u pezullua nga detyra Rustem Hoxha, me detyrë Zëvendës/shef i Komisariatit 1.  

Ngjarja e rëndë e transmentuar për herë të parë në emisionin “Stop” në TV KLAN ka ngjallur jo pak reagim tek qytetarët. Dhjetra e qindra qytetarë protestuan këtë të enjte përpara godinës së Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Brendshme, si dhe marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi pas kësaj proteste, duke theksuar se mosreagimi i punonjësve të policisë për ngjarje të tilla cilësohet si bashkëpunim me dhunuesit.

“Kolegu juaj gazetar Saimir Kodra ka komunikuar drejtpërsëdrejti me mua që nga momenti i parë, që nga ai moment janë bërë të gjitha verifikimet që lidhen me hetimet që duhet të kishte bërë në kohë Policia e Shtetit, çdolloj forme mosreagimi në kohë është një bashkëpunim me dhunuesit”, është shprehur ministri Balla.

Balla shtoi se duhet të ketë besim te drejtësia në lidhje me këtë çështje.

Tv Klan