Lidhur me rastin e dhunimit të tre shqiptarëve në Malin e Zi ka folur edhe mjeku i urgjences në Spitalin Rajonal Shkodër, Astrit Lahi ku tre të rinjtë kanë marrë mjekimet përkatëse.

Gjatë fjalës së tij mjeku është shprehur se tre shqiptarët e dhunuar janë paraqitur në urgjencë në orën 6 të mëngjesit me trauma dhe hematoma të dukshme fizike.

Mjeku shprehet se tre shqiptarët e dëmtuar kanë qëndruar 4 orë në ambientet e urgjencës dhe pas ekzaminimeve janë larguar me mjekimet përkatëse në gjendje të stabilizuar.

Ndërkohë gjatë qëndrimit në spital mjeku shprehet se kishte prezencë të forcave policore.

“Shtetasit shqiptarë të dhunuar dje në Malin e Zi janë paraqitur rreth orës 6 të mëngjesit në urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër. Në ekzaminimet e para viheshin re se kishin dëmtime në kokë, fytyrë në trup. Filluan ekzaminimet përkatëse dhe për fat të mirë nuk rezultuan me dëmtime të thella. Ata qëndruan për disa orë në spitalin Rajonal Shkodër dhe pastaj kanë dalë në gjendje të përmirësuar me mjekimet përkatëse. Prezenca e policisë është gjithmonë. Përgjithësisht ishin në të njëjtën situatë. Nuk paraqisnin probleme neurologjike. Njëri nga ata kishte një dëmtim tek syri, por nga konsultat që bëmë me okulistin, pa probleme madhore të saj. Gjendja e tyre ishte relativisht e mirë. Kështu ka qenë referimi. Jo me sende të forta, por me grushta. Pastaj është fusha e mjekut ligjor për të thelluar ekzaminimet e dëmtimeve që kanë. Këtu kanë qëndruar për rreth katër orë sepse ata kanë qenë edhe në Malin e Zi dhe kjo ishte një rikontroll sepse i kanë kryer edhe atje problemet e tyre dhe sa ka mjaftuar për të realizuar rikontrollet përkatëse ku pastaj kanë dalë në gjendje të mirë”, shprehet mjeku i urgjencës në Spitalin Rajonal Shkodër.  

Dhuna ndaj 3 shqiptarëve u denoncua fillimisht nga familjarët e tyre, çka ngjalli menjëherë reagim nga autoritetet. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, kontaktoi homologun e tij malazez Danilo Sharanoviç ku kërkoi informacion të plotë mbi shkaqet e këtij incidenti. Për këtë të fundit reagoi dhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, i cili që në momentet e para deklaroi se policia e vendit të tij ishte në gjurmët e agresorëve./tvklan.al