Reagon Tirana, kryeministri malazez dënon ngjarjen
Me sy të nxirë dhe të gjakosur dhe shenja në trup. Këto janë pamjet nga dhunimi i tre shqiptarëve në Mal të Zi nga një grup prej 7 personash, të cilët janë goditur në mënyrë barbare.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur këtë të shtunë rreth orës 14:00 në vendin e quajtur Zelenika në afërsi të qytetit Herceg Novi.
3 shqiptarët e dhunuar janë Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi. Ata sapo kishin zbritur nga trageti dhe po lëviznin me një automjet me targa gjermane.
Filimisht goditën makinën e tyre dhe pas daljes nga automjeti dy shqiptarët janë goditur duke pësuar dëmtime në trup. Policia malazeze, në komunikim me homologët shqiptarë ka raportuar se fillimisht 3 shqiptarët janë dërguar për mjekim në spital dhe nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim për ngjarjen, pasi kanë qenë të frikësuar. Vetëm pas ardhjes së avokatit shqiptar nga Ulqini, policia e shtetit fqinj ka bërë të ditur se ka shoqëruar disa persona për këtë ngjarje.
Për këtë ngjarje të denoncuar fillimisht nga familjarët e të dhunuarve ka reaguar menjëherë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili ka pasur dhe një telefonatë me homologun malazez Danilo Sharanoviç.
Ambasada shqiptare në Podgoricë bën të ditur se që prej momentit të parë janë vënë në kontakt me shtetasit, duke i marrë nën mbrojtje dhe po u ofrohet çdo shërbim i nevojshëm, përfshirë edhe ai ligjor.
Për këtë ngjarje të rëndë reagoi dhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, i cili bëri të ditur se është identifikuar njëri prej autorëve dhe po punohet për kapjen e tij.
“Më vjen shumë keq për ngjarjet që ndodhën të mysafirët tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oaz paqeje dhe sigurie për të gjithë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura.”
Ministri i Brendshëm ka falenderuar Kryeministrin malazez për dënimin e këtij akti barbar.
Tv Klan