Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka denoncuar një rast dhune ndaj një të mituri brenda Komisariatit numër 1 të Policisë, në kryeqytet. Kanë qenë prindërit e 14 vjeçarit të cilët kanë ngritur alarmin se djali i tyre është dhunuar nga oficerët e policisë.

Pas marrjes së denoncimit, ka reaguar Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit. Në njoftimin për shtyp sqarohet se 14-vjeçari u shoqërua në komisariat për shkak të dyshimeve se kishte hedhur lëndë piroteknike në zonën e Liqenit Artificial. Kanë qenë banorët e zonës të cilët kanë denoncuar të miturin. Policia sqaron se janë referuar në polici materialet, ku u vendos procedim në gjendje të lirë për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Në bazë të pretendimeve të prindërve të të miturit se ai është dhunuar gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit, me urdhër të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka nisur procedim disiplinor për shkelje të rëndë për dy inspektor dhe një nënkomisar.

Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar materialet në Prokurori, me qëllim hetimin penal të 3 punonjësve të Policisë, për veprat “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Hetim administrative ka nisur edhe  Drejtoria e Standardeve Profesionale për të verifikuar nëse 3 punonjësit e Policisë kanë shkelur kompetencat dhe detyrimet që iu caktojnë rregullorja e Policisë së Shtetit dhe procedura standarde e punës.

Klan News