“Kërkoj ndjesë, por nuk e kam prekur me dorë”

Edukatorja e kopshtit jo publik “Stinët”, Majlinda Dehima ka dalë këtë të diel përpara Gjykatës së Tiranës aty ku është njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ajo akuzohet për “keqtrajtim të të miturive”, lidhur me dhunën e ushtruar ndaj 3-vjeçares, e cila theu këmbën.

Ngjarja e rëndë u denoncua fillimisht nga emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan, ku u publikuan dhe pamje teksa edukatorja dhunonte fëmijën e mitur.

Por pavarësisht këtyre pamjeve dhe akuzës së ngritur ndaj saj, Majlinda Dehima vijon të mbajë të njëjtin qëndrim, duke deklaruar se nuk e ka prekur me dorë 3-vjeçaren.

Gjithashtu në seancën e zhvilluar, Dehima ka shtuar se nuk e ka kuptuar që vajza e mitur kishte thyer këmbën, teksa u ka kërkuar ndjesë familjarëve të 3-vjeçares për ngjarjen e ndodhur.

Nisur nga këto pretendime, avokati i edukatores kërkoi një masë më të butë sigurie kërkesë kjo që u rrëzua nga gjykata.

Lidhur me ngjarjen e rëndë, krahas edukatores, në hetim janë vënë dhe pronarët e kopshtit jo publik “Stinët”, të cilët zhvillonin aktivitetin pa licencën përkatëse.

Ndërkohë janë referuar materialet për akuzën e shpërdorimit të detyrës për dy efektivë të komisariatit 1 të cilët kanë trajtuar rastin, por nuk kanë kryer veprime konkrete për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e dhunës me pasojë thyerjen e këmbës së 3-vjeçares.

Tv Klan