Një 37-vjeçare, me detyrë faturiste e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Tiranë ka rënë pre e dhunës gjatë ditës së sotme në momentet që ka shkuar në një lokal në rrugën “Artan Lenja” për të kontrolluar sahatin e energjisë.

Sipas asaj që bën të ditur gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, ajo dyshohet se është sulmuar nga një person, menjëherë sapo është konstatuar, i cili është shpallur në kërkim nga policia.

Pavarësisht tentativave të saj për të treguar se kishte ardhur vetëm për të lexuar sahatin, personi tjetër e ka goditur në të gjithë trupin.

37-vjeçarja është dërguar pranë Spitalit të Traumës në kryeqytet dhe mësohet se është e ndërgjegjshme, por bluzat e bardha po e mbajnë në kujdes të vazhdueshëm.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 shpallën në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit S. C., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas, me datë 25.04,2025, rreth orës 13:00, dyshohet se ka goditur me sende të forta për shkak të detyrës shtetasen R. H., 37 vjeçe (punonjëse e OSHEE-s) e cila kishte shkuar për të parë sahatin e dritave në lokalin që 38-vjeçari posedon në rrugën ‘’Artan Lenja’’. Si pasojë është dëmtuar 37-vjeçarja, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

/tvklan.al