Lajm i përditësuar – Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Majlinda Dehimën, edukatoren 48-vjeçare që pak ditë më parë dhunoi 3-vjeçaren në kopshtin “Stinët”

Ky rast i rëndë u denoncua në emisionin “Stop” në Tv Klan.

Dehima akuzohet nga Prokuroria e Tiranës për keqtrajtim të të miturës në lidhje me dhunën ndaj 3-vjeçares e cila për pasojë ka thyer këmbën.


Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pa praninë e kamerave, ku Dehima dha shpjegimet e saj lidhur me ngjarjen e ndodhur me 1 Nëntor. Ajo ka mohuar ta ketë prekur me dorë dhe ka kërkuar ndjesë për atë që ka ndodhur. Ajo është shprehur se nuk e ka kuptuar që e mitura ka thyer këmbën.

“Nuk e kam prekur me dorë. Kërkoj ndjesë për çfarë ka ndodhur, por nuk e kam kuptuar që mitura e ka thyer këmbën”, mësohet të ketë thënë ajo sipas gazetarit Besar Bajraktaraj.

Përmes avokatit, Dehima kërkoi të merrte një masë më të lehtë sigurie, por kjo u refuzua nga gjykata.


Sa herë është marrë në pyetje nga hetuesit, në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, edukatorja ka deklaruar se nuk ia ka thyer ajo këmbën, por fëmija e ka thyer tek ndarëset e krevatit teksa ishte shtrirë për të fjetur në orarin e drekës.

Ky deklarim është hedhur poshtë pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe të publikuara sërish në emisionin “Stop”.

U deshën disa ditë për të dalë në konkluzionin që Dehima të ishte në një masë sigurimi më të ashpër si ajo e arrestit me burg, pasi fillimisht u hetua në gjendje të lirë.

Sa i përket kopshtit “Stinët”, krahas mbylljes së aktivitetit vijon një hetim në gjendje të lirë për pronarin e kopshtit, Daniel Danushi.

Megjithatë, siç bëri me dije disa ditë më parë, drejtuesi i emisionit “Stop” Saimir Kodra, se ky person sipas të dhënave në QKB merret me gibs, ndërsa bashkëshortja e tij, Entela Danushi është sipas letrave të QKB-së personi që ka hapur kopshtin.

“Është bllokuar ai që merret me gipsin, jo kjo që ka bërë kopshtin”, tha Saimir Kodra në “Opinion” (Lexo më shumë).

Çifti e ushtronte këtë aktivitet në ilegalitet pasi kopshti siç bëri me dije Ministria e Arsimit ishte i palicensuar./tvklan.al