Majlinda Dehima para gjykatës: Kërkoj ndjesë, por nuk e kam kuptuar që vajza kishte thyer këmbën

Për gati 1 orë e gjysmë edukatorja Majlinda Dehima është munduar të mbrohet para gjykatës së Tiranës për dhunën ndaj 3-vjeçares në kopshtin “Stinët”

Në një seancë me dyer të mbyllura, 48-vjeçarja kërkoi përmes avokatit një masë më të lehtë sigurie, gjë që u refuzua nga gjyqtarja Migena Laska.

Dehima pretendoi se nuk e ka lënduar të miturën

“Nuk e kam prekur me dorë. Kërkoj ndjesë për çfarë ka ndodhur, por nuk e kam kuptuar që vajza e ka thyer këmbën”.

Edukatorja u denoncua në emisionin “Stop” nga babai i vajzës 3-vjeçare, por ajo gjatë gjithë dëshmive të saj ka mohuar që të ketë ushtruar dhunë. Deklaratat e saj u hodhën poshtë nga verifikim i i pamjeve të kamerave të sigurisë.

Fillimisht ajo u hetua në gjendje të lirë, por pas publikimit të pamjeve të plota u vu në pranga nga policia.

Në hetim janë vënë dhe çifti i pronarëve të kopshtit, i cili rezultoi se ishte i palicensuar Daniel e Entela Danushi.

Sakaq me akuzën se nuk kanë kryer veprime hetimore për të vënë para përgjegjësisë autorët e dhunimit të 3-vjeçares, Agjencia e Mbikëqyrjes Policia ka referuar materialet për “shpërdorim detyre” për dy prej punonjësve të pezulluar të komisariatit numër 1 në Tiranë. Konkretisht bëhet fjalë për Ylli Çakon, shefin e seksionit të komisariatit numër 1, si dhe oficerin e policisë gjyqësore, Ergys Brahimaj të cilët janë marrë me rastin e dhunës së të miturës. Më herët u pezullua nga detyra Rustem Hoxha, me detyrë zëvendës shef i komisariatit 1.

Klan News