Polica e Durrësit ka ndaluar të dielën njërin prej tre autorëve të dyshuar të dhunimit të së afërmes së tyre pas një konflikti për pronën.

Admir Koleci, 28 vjeç, banues në Manëz, është ndaluar pasi bashkë me të vëllain dhe të atin, kanë dhunuar gruan e xhaxhait, 55-vjeçaren Qefsere Koleci.

“Vijon puna për kapjen e shtetasit Medi Koleci, 61 vjeç, (Babai i 28-vjeçarit) dhe Algert Koleci 32 vjeç”, tha policia.

Qefsere Koleci nga Manëza e Durrësit u dhunua mëngjesin e së dielës me sende të forta nga kunati i saj Medi Koleci dhe dy djemtë e tij, Algert Koleci 32 vjeç dhe Admir Koleci 28 vjeç.

Pas ndihmës së parë që mori në spitalin e Durrësit, u transportua në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku ndodhet aktualisht. Shkak i konfliktit u bë një rrugë që kalon para banesës së saj, të cilën e kishte zënë kunati Medi Koleci duke mbjellë ullishte. Banesat e këtyre dy familjeve ndodhen ngjitur me njëra-tjetrën, ndërsa ky problem ekziston prej disa vitesh.

Tvklan.al mësoi se ditën e djeshme, INUK dhe Policia e Shtetit shkuan për të liruar hapësirën e zaptuar nga Medi Koleci. Ky i fundit, për shkak se kundërshtoi policinë, u shoqërua në komisariat. Pas disa orësh u lirua, dhe mëngjesin e sotëm dhunoi me dy djemtë e tij Qefsere Kolecin, duke i shkaktuar plagë të rënda. Gruaja e dhunuar thotë se kunati i saj u la i lirë nga prokurori i çështjes./tvklan.al