4 persona kanë përfunduar në pranga pasi kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë në qytetin e Vlorës.

Sipas njoftimit të forcave blu, policët shkuan mbrëmjen e së dielës në një lokal afër Portit të Vlorës për të bërë shoqërimin e 36-vjeçarit A. C., si i dyshuar për një vepër penale.

“Në momentin që punonjësit e policisë do kryenin shoqërimin e shtetasit A.C, kanë ndërhyrë për t’i penguar shokët e këtij shtetasi të cilët kanë kundërshtuar me dhunë shoqërimin e shokut të tyre në Polici, duke dëmtuar fizikisht punonjësit e policisë të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën”, tha policia.

Menjëherë në ndihmë të punonjësve të policisë kanë shkuar shërbimet e tjera të policisë, të cilat arrestuan në flagrancë 36-vjeçarin A. C., 25-vjeçarin D. M., 23-vjeçarin S. N., dhe 22-vjeçarin K. M., të gjithë banues në Vlorë. /tvklan.al