Dhunuan të moshuarën, lirohen nga paraburgimi 3 infermieret


Dhunuan të moshuarën, lirohen nga paraburgimi 3 infermieret

10:00 25/11/2022

Kosovë – Tre infermieret e arrestuara në Pejë në fillim të muajit Nëntor për dhunën e ushtruar ndaj një moshuareje në qendrën Orenda, janë liruar nga paraburgimi.

Klan Kosova raporton se infermieret janë lënë të lira me vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës, që ka pranuar kërkesën e avokatëve.

Tre infermieret do të hetohen tashmë në gjendje të lirë për rastin brenda qendrës së të moshuarve Orenda në Pejë, ku u filmuan duke ushtruar dhunë ndaj një të moshuareje për të cilën kishin detyrë që të kujdeseshin.

Lirimi i infermiereve, reagon avokati i të dhunuarës: Besimi në drejtësi është shuar

Avokati Meshari Selimaj i familjes së të moshuarës që u dhunua brenda qendrës Orenda në Pejë, ka reaguar për tvklan.al pas vendimit për lirimin nga paraburgimi të 3 infermiereve të akuzuara.

Për tvklan.al, avokati i familjes ka thënë se vendimi i sotëm i Gjykatës Supreme të Kosovës ka shuar besimin për drejtësi.

“Vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin nga paraburgimi i të pandehurave në këtë fazë të procedurës ku akoma nuk ka përfunduar procedura hetimore dhe akoma ekziston rreziku i madh që të ndikohet në ndryshimin dhe asgjësimin e provave, është tregues i qartë se cilat janë tendencat për trajtimin e mëtejshëm të këtij rasti, relativizimi i tij, dhe në fund lirimi nga aktakuza apo shqiptimi i ndonjë dënimi me gjobë. Me ditën e sotme besimi në drejtësi për këtë rast u shua”, shprehet avokati Meshari Selimaj për tvklan.al.

Gjykata Supemre e Kosovës liroi nga paraburgimi 3 infermieret që dhunuan të moshuarën brenda azilit të qendrës Orenda në Pejë të Kosovës.

Ato u arrestuan në fillim të Nëntorit dhe u lanë në paraburgim për 1 muaj, por Gjykata Supreme i liroi sot duke pranuar kërkesën e avokatëve mbrojtës dhe hetimin e tyre në gjendje të lirë. 

/tvklan.al









Të ngjashme