Kur Thomas Tuchel, të nisë punën e re si trajner i Anglisë në janar, një pjesë të javës ai mund të punojë në distancë. Federata angleze e futbollit i ka dhënë lejen gjermanit që të ushtrojë detyrën e tij edhe jashtë ishullit. Ish-tekniku i Çelsit dhe i Bajern Mynihut nuk do të jetë nën presion për të marrë pjesë në takimet e përditshme në selinë e futbollit në Londër, pavarësisht se u zotua të jetojë në Angli ‘shumicën e kohës’ kur u emërua muajin e kaluar.
Dhe gjermani duket se nuk do të ndjekë të njëjtën metodë punësimi si të ish teknikut Gareth Southgate, i cili qëndronte në qendrën në Burton për tri ditë, e pjesën tjetër larg saj, gjatë periudhës së tij tetë vjeçare në stolin e tre luanëve. Tuchel do të kryejë takime me trajnerët e kombëtareve të moshave, por nuk përbën problem për federatën që ai të punojë në distancë, raporton tabloidi The Sun.
Për 18 muaj, 51-vjeçari ka jetuar në Londër, kur drejtoi Çelsin. Por tani, ai një pjesë të kohës do ta kalojë sërish në kryeqytetin britanik, e pjesën tjetër në Mynih, ku qëndrojnë edhe dy vajzat e tij. Tuchel ka nënshkruar një kontratë 18-mujore me FA dhe ai do të fitojë të paktën 7.5 milionë paund gjatë kësaj periudhe.
Për më tepër, 51-vjeçari do të përfitojë një pagesë bonus prej tre milionë paundësh nëse lojtarët e Anglisë i japin fund mungesës së trofeve, duke fituar Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1966. Paga e gjermanit sipas mediave britanike është dy herë më e madhe se ajo e paraardhësit të tij, Southgate.
Klan News