Lodra për fëmijët e policëve të vrarë. Janë 150 fëmijë të cilët do t’u gëzohen këtyre lodrave nga shoqata bamirëse baptiste. Këta fëmijë nuk u gëzohen më kujdesit të etërve të tyre pasi ata kanë rënë në krye të detyrës. Vetëm pak ditë më parë, stafi i marrëdhënieve publike të Ministrisë së Rendit Publik kishte humbur shpresat për të kujtuar qoftë simbolikisht fëmijët e policëve të ndjerë.

Asnjë shoqatë apo tregtar deri ditën e djeshme nuk u paraqit për të dhënë kontributin e tyre. Por sot, në sajë të punës ngulmuese të zyrës së marrëdhënieve publike, u arrit një sasi e konsiderueshme lodrash.

Përveç shoqatës baptiste dhe caritasi ka kontribuar në ndihmën për familjet dhe fëmijët e policëve të vrarë. Por përveç lodrave të ndryshme për fëmijë, Ministria e Rendit nga një fond i veçantë i qeverisë do t’u shpërndajë këtyre familjeve një shumë të konsiderueshme parash. Meqë këto ndihma kanë ardhur tepër vonë, pjesa më e madhe e familjeve dhe fëmijëve të cilët jetojnë në qytete të largëta do t’i marrin ato më 18 Janar, festën e policisë./tvklan.al

Gazetar : Eduart Frangaj