Dhurimet vullnetare të gjakut përgjatë muajve të parë të këtij viti janë rritur me 20%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, megjithatë kërkesat nëpër spitale janë të mëdha.
Sipas shefes së mbledhjes dhe përpunimit të gjakut, Viola Shano ndikim pozitiv kanë patur fushatat sensibilizuese sidomos me institucionet shtetërore.
“Kemi një rritje të konsiderueshme që shkon deri në 20%, kjo falë fushatave që ne kemi marrë me bashkitë në të gjithë Shqipërinë. Sapo ne kemi mbaruar këtë fushatë dhe ka qenë shumë rezultative, ndërkohë që kemi nisur fushatën me institucionet e ekzekutimit të veprave penale, duke u shtrirë më pas me Policinë e Shtetit dhe me disa institucione si Ministria e Mbrojtjes e cila ka qenë një nga shtyllat tona kryesore përsa i përket numrit të dhuruesve”, është shprehur Viola Shano.
Grupet më të rralla të gjakut janë ato që përbëjnë kërkesën më të lartë për stokun në bankat e gjakut.
“Thirrja jonë për gjak është e vazhdueshme dhe sidomos në këtë moment që ne flasim kemi nevojë për 0 negativë, A negativë, që janë dhe grupe të rralla, që në popullsinë dhuruese është dhe më i ulët ky numër i dhuruesve”, thotë Shano.
Vitet e fundit për të rritur numrin e dhuruesve vullnetarë, janë menduar edhe lehtësira të ndryshme, sidomos për ata që janë në marrëdhënie pune.
“Për t’i motivuar këta dhurues, ne kemi dhe 2 ditë pushim nëse ata punojnë në administratë shtetërore, ndërsa nëse janë në institucione private, ata ditën që vijnë për të dhuruar e marrin pushim”, përfundoi Shano.
Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Lushnja kanë numrin më të lartë të dhuruesve vullnetarë të gjakut në vendin tonë.
Klan News