Rama: Italia, mbrojtëse e interesave të Shqipërisë

Ashtu si 30 vite më parë kur hapi dyert për mijëra shqiptarë që zbarkuan në brigjet e saj përtej Adriatikut, Italia jep një tjetër mesazh mbështetjeje për Shqipërinë. Në krah të kryeministrit Rama, gjatë pritjes së organizuar nga Këshilli Rajonal i Puglia-s, që përkujtoi 30-vjetorin e eksodit të shqiptarëve drejt Italisë, Ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio, u shpreh i bindur se vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Europian.

“Lidhja jonë që tashmë është e fortë e gjen mbështetjen dhe në NATO, nuk mund të mos quhemi të kënaqur, vetë Europa nuk e quan të bashkuar nëse qëndron jashtë Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, ne do angazhohemi që kjo gjë të ndodh sa më shpejt. Ftesa jonë është që të mos jenë ngurues dhe t’i hedhin poshtë paragjykimet e tyre. Duhet të fillojë me vrull zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Di Maio.

Për kryeministrin Rama, Italia mike ka qenë avokati i interesave të Shqipërisë ndër vite, përfshi edhe ndihmën e dhënë së fundmi pas tërmetit të 26 Nëntorit. Ajo që më së shumti e surprizoi ishte çmimi “Rrënja e Puglias”, që iu dha nga Presidenti i Rajonit të Puglias, Michele Emiliano.

“Nuk e di nëse e meritoj gjithë këtë, jam shumë i surprizuar ndoshta nuk është fjala më e përshtatshme, është një mikëpritje befasuese, e dëshmon edhe mungesa e kravatës sime, zbrita nga avioni ku papritur dhe gjithçka dukej si një film ndaj faleminderit nga zemra. Italia është avokati ynë dhe ne ju jemi vërtet mirënjohes”, tha Rama.

Tre dekada pas eksodit, vendin e tij tha se e sheh të ndryshuar, ndonëse jo aty ku do të dëshironte. Dhe si shembull të transformimit solli të rrëfyer historinë e një politikani të huaj i cili donte të shoqërohej me eskortë dhe i armatosur në Tiranë, për shkak të imazhit se Shqipëria ishte një vend shumë i rrezikshëm.

“Zotëria nuk e quan pistoletën një armë të mjaftueshme për t’u mbrojtur, i thoni nuk është një shërbim që të futet në Kandahar, nuk ndodhet në Rripin e Gazës. Pasi u fut në Tiranë, të nesërmen më thotë, duhet t’ju kërkoj një falje shumë të madhe, më thotë kam udhëtuar shumë, por Shqipëria nuk është ashtu siç e prisja, i thashë mos u shqetësoni, se perceptimi është shumë më ndryshe nga realiteti”.

Gjatë vizitës në Puglia, Kryeministri Rama u prit edhe nga kryebashkiaku i Barit. Rama tha se bashkëpunimi mes dy vendeve është edhe shtysa drejt një të ardhmeje dhe vizioni të përbashkët.

“Ne mundemi që të shkojmë përtej, duke u përpjekur që të bashkojmë frymën tonë sepse nuk ka më as kufij fizikë e mendor, janë gjithnjë e më të shumtë italianët që vijnë në Shqipëri dhe ne jemi të interesuar që të bëhemi pjesë e së ardhmes të përbashkët, dhe të së tashmes.”

Në Bari, Kryeministri Rama zhvilloi homazhe edhe në vendin ku humbi jetën Luigj Gurakuqi.

Kryeministri u ndal edhe në Brindizi, aty ku në 7 Mars të vitit 1991 zbarkuan 18 mijë shqiptarë. Rama u kërkoi autoriteteve lokale ta kthejnë këtë datë në një vizitë të detyruar të qeverisë shqiptare në Brindizi dhe që t’i jepet një hapësirë për të ndërtuar një muze të vogël.

“Ne duam që këtë datë, 7 Marsin ta kthejmë në një datë të vizitës së detyrueshme të qeverisë shqiptare në Brindisi, për t’i shprehur mirënjohjen e përjetshme dhe kjo histori të mos harrohet. Shpresoj dhe që bashkia e Brindizit të na japë mundësi të kemi një hapësirë të vogël për të bërë një muze, që besoj se duhet ta shohin jo vetëm ata që banojnë në këtë qytet, por edhe shumë vizitorë”.

Duke folur për historinë e 7 Marsit të 30 viteve më parë, Rama tha se solidariteti i njerëzve të thjeshtë tregoi se është politika që e shpërndan frikën.

Tv Klan